Konferenca e Kryetarëve merr vendimin: Javën tjetër nuk ka seancë, Kuvendi nis më datat 14 dhe 21 maj

29/04/2020 12:07

Sot,në datën 29 prill 2020, u zhvillua mbledhja e Konferencës së Kryetarëve, e cila u zhvillua me anë të mjetit të komunikimit elektronik (Cisco Webex).

Në fillim të mbledhjes, Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, nënvizoi se “Edhe pse në rrethana të jashtëzakonshme, veprimtaria parlamentare e komisioneve të përhershme dhe seancat plenare kanë qenë mjaft intensive e produktive, duke u dhënë përparësi shqyrtimit të akteve ligjore që lidhen me përballimin e pandemisë COVID-19.

Unë i kam ndjekur personalisht të gjitha mbledhjet e komisioneve dhe kam konstatuar se ato kanë qenë të mirëorganizuara dhe rezultative dhe janë transmetuar në kohë reale për median e publikun. Pavarësisht rrethanave si edhe qëndrimeve politike të grupeve parlamentare, të gjitha procedurat parlamentare për depozitimin, shqyrtimin dhe miratimin e akteve ligjore janë zbatuar pikë për pikë, sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit.”

Mbledhja shqyrtoi dhe miratoi me konsensus kalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 1-22 maj 2020 dhe vendosi zhvillimin e seancave plenare në datat 14 dhe 21 maj 2020. Seancat plenare do të zhvillohen duke zbatuar rregullat dhe standartet për mbrojtjen nga COVID-19.

Në përfundim të mbledhjes, Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, tërhoqi vëmendjen se “Kuvendi, me axhendën e vet legjislative, duhet t’i paraprijë strategjisë së daljes nga situata e pandemisë. Ndryshe nga parlamentet e vendeve të tjera, të cilat kanë reduktuar numrin e seancave plenare, numrin e deputetëve dhe kohën e diskutimeve, ne këtë të fundit nuk e kemi kufizuar, për t’u dhënë mundësi të gjithë deputetëve të shprehen. Me ligjet, aktet normative, marrëveshjet dhe vendimet që programojmë të miratojmë ne duhet t’u hapim rrugë, të mbështesim dhe nxisim veprimtarinë e institucioneve të tjera dhe sektorit publik e privat për rigjallërimin e sipërmarrjes, veprimtarive ekonomike dhe jetësore. Për këtë kërkohet rritje e dinamizmit të veprimtarisë së komisioneve parlamentare, të të gjithë deputetëve dhe administratës së Kuvendit në shërbim të tyre.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA