Një pjesë e vogël e tregtarëve të vegjël në Fier kanë rifilluar punën pas njoftimit për hapjen e disa bizneseve.

Edhe pse rifillimi i punës është pritur me padurim, ata janë të zhgënjyer nga mungesa e blerësve. Tregtarët ankohen se nuk kane punë si pasojë e lëvizjes së njerëzve. Pjesa më e madhe e tregtarëve të biznesit të vogël thonë se nuk e kanë përfituar pagën e luftës, por janë në pritje.

Ka dhe nga ata që nuk kanë dijeni për ndryshimin e destinacionit në degën e tatim-taksave në Fier. Ky tregtar që shet pjesë elektrike nuk e perfiton pagën e luftës, pasi figuron i regjistruar si njësi shitjeje e artikujve ushqimorë. Ekspertët e ekonomisë thonë se kjo kategori shkon 10-15% e biznesit të vogël. Ndryshimi i destinacionit nga QKR-ja në degën e tatim-taksave do të shkaktojë probleme për tregtarët pasi këta të fundit nuk kanë kohë në dispozicion për të bërë ankimimin.

Pak ditë më parë rreth 140 tregtarë ambulantë që ushtrojnë aktivitetin në mjediset e një qendre tregtare në Fier u grumbulluan përpara drejtorisë rajonale të tatimeve për të kërkuar pagën e luftës. Tregtarët janë të pajisur me numër nipti dhe janë pagues te rregullt të detyrimeve ndaj shtetit.

Top Channel