Valdet Rama: Ja pse nuk qëndrova te Kukësi, e prisja një ftesë nga kombëtarja!

24/04/2020 22:59

Pas një eksperience të shkurtër 6-mujore te Kukësi, Valdet Rama në këtë sezon po aktivizohet me skuadrën e Meppen në kategorinë e tretë të futbollit gjerman. Në një lidhje me emisionin Fan Zone në Supersport, Rama tregoi për situatën aktuale në Gjermani, ai foli gjithashtu për kampionatin shqiptar, largimin nga Kukësi, një rikthim të mundshëm në të ardhmen në Superiore si dhe kujtoi shkëputjen nga kombëtarja shqiptare.

“Ende nuk i kemi nisur stërvitjet në grup. Na kanë thënë se të hënën do fillojmë dhe ndoshta atë ditë do të vendoset edhe për rifillimin e kampionatit. Kam zhvilluar një sezon shumë të mirë këtu. Fatkeqësisht ndodhi kjo pandemi dhe shpresojmë që të rifillojmë aty ku e lamë dhe kemi shpresa të ngrihemi në ligën e dytë.

Kampionati shqiptar? E kam ndjekur. Kukësi ka qenë mirë, por kur duhej të jepte 100% nuk e ka bërë. Siç ishte ndeshja me Tiranën, ku nëse do merrnin një fitore do ishte ndryshe.

Largimi nga Kukësi? Kur erdha nënshkrova për 6 muaj. Kam pasur mendim që të kthehesha në Gjermani sepse kam edhe familjen këtu.

Rikthim në Superiore? Pse jo, është çdo gjë e mundshme, në Shqipëri e kam ndjerë veten shumë mirë dhe ndoshta mund të ndodhë.

Aventura në Spanjë? Kam kaluar shumë mirë në Spanjë dhe jam ndjerë shumë mirë. U mërzita shumë kur u dëmtova dhe nuk kisha mundësinë të luaja në Europian, pasi po kaloja një moment shumë të mirë.

Shkëputja nga Kombëtarja? Hera e fundit ka qenë me Francën ku fituam 1-0, më pas nisën dëmtimet. Kam pasur më vonë një formë shumë të mirë dhe prisja ftesën, por nuk erdhi asnjëherë dhe isha shumë i zhgënjyer.”, u shpreh Rama për “Supersport”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA