Nga goleador në “njeriun e merkatos”, Lukaku bind patriotët e tij t’i bashkohen Interit

24/04/2020 10:07

Erdhi te Interi për të zëvendësuar Mauro Icardin dhe për të bërë goleadorin, por ndërkohë që futbolli është ndalur për shkak të koronavirusit, sulmuesi belg Romelu Lukaku po u jep një dorë drejtuesve të klubit për punën në merkato.

Kështu Lukaku është angazhuar personalisht për të bindur dy shokët e tij te Belgjika, Dries Mertens dhe Jan Vertonghen, që t’i bashkohen Interit gjatë kësaj vere, për të krijuar një “koloni” belge te zikaltrit.

Të dy këta futbollistë janë në muajt e fundit të kontratës dhe pritet të dalin lojtarë të lirë me përfundimin e sezonit, ndaj drejtuesit e Interit po provojnë t’i afrojnë për të forcuar skuadrën pa shpenzuar shumë para.

Sa i përket Mertens, është një profil që pëlqehet shumë edhe nga Conte, pasi është një ekspert i kampionatit italian dhe di të përshtatet në mënyrë perfekte me skemën me dy sulmues, sepse ka treguar se di të luajë edhe sy “pykë” edhe si sulmues i dytë.

I njëjti diskutim vlen edhe për mbrojtësin Vertonghen, që momentet më të mira të karrierës së tij i ka treguar në mbrojtjen me 3 dhe jo më kot ka nisur të hasë vështirësi te Tottenham, që kur në pankinë u ul Jose Mourinho.

Ky i fundit shihet si lojtari ideal për t’iu bashkuar zikaltërve, pasi mund të luajë në të dy krahët e mbrojtjes me tre dhe të shtojë ndjeshëm eksperiencën në prapavijën e zikaltërve, duke qenë se ka një eksperiencë shumë të madhe në futbollin e niveleve të larta.

Vetë mbrojtësi pranoi se ka vendosur të largohet nga Tottenham në fund të sezonit dhe se i pëlqen të transferohet në Itali ose në Spanjë, ndërsa ka zbuluar edhe kushtin që duhet të plotësojë skuadra e tij e re.

“Dua të luaj në një kampionat tërheqës dhe për momentin më impresionojnë Italia dhe Spanja. I vetmi kusht për klubin e ri është që të luajë në kupat e Europës”, deklaroi Vertonghen, që mesa duket është bindur nga Lukaku t’i bashkohet Interit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA