KFOR-i dhuron pajisje mbrojtëse për spitalet e Kosovës në vlerë 70 mijë euro

24/04/2020 16:34

Misioni i NATO-s i drejtuar nga KFOR-i, ka dhuruar pajisje për mbrojtje personale në vlerë prej 70,000 Euro për spitalet e Prishtinës dhe Graçanicës, në mbështetje të përpjekjeve të vazhdueshme të Institucioneve në Kosovë kundër pandemisë COVID-19.

Mijëra doreza, maska, syze, veshje izoluese, si dhe termometra infra të kuqe pa kontakt dhe antiseptik për pastrimin e duarve do të ofrohen për stafin mjekësor për të ndihmuar në trajtimin e duhur të pacientëve dhe për të shmangur përhapjen e mëtejshme të virusit, veçanërisht në mesin e profesionistëve shëndetësorë që kryejnë çdo ditë punë me rëndësi jetike.

Projekti u financua nga NATO dhe u implementua nga ekipi i KFOR-it për Bashkëpunim Civil-Ushtarak dhe është pjesë e angazhimit të përgjithshëm të Aleancës në mbështetje të operacioneve të saj dhe të vendeve anëtare dhe partnerëve të saj.“Dhurimi është një veprim solidariteti që pasqyron bashkëpunimin e ngushtë të zhvilluar midis KFOR-it dhe Ministrisë së Shëndetit Publik dhe është pjesë e misionit të udhëhequr nga NATO për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë, siç është mandatuar nga Rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara të Këshillit të Sigurimit e vitit 1999”, tha Gjeneral Major Michele RISI, Komandant i KFOR-it.

Që nga fillimi i epidemisë COVID-19, KFOR-i ka vazhduar aktivitetet e veta në mënyrë të rregullt, ndërsa zbaton masa të kujdesshme dhe të forta – në përputhje me udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetit – për të kufizuar përhapjen e virusit dhe minimizuar rreziqet për pjesëtarët e tij dhe për komunitetet që shërbejnë. “Aftësia e KFOR-it për të kryer operacione nuk është zvogëluar. Forcat tona mbeten të gatshme dhe puna jonë vendimtare vazhdon,” shtoi Gjeneral Major Michele RISI.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA