Vendimi/ Presidenti Trump pezullon për 60 ditë imigracionin në SHBA

23/04/2020 02:53

Presidenti Donald Trump nënshkroi të mërkurën një urdhër ekzekutiv për të pezulluar imigracionin në Shtetet e Bashkuara për 60 ditë, por me përjashtime për kategori të veçanta. Presidenti Trump e bëri njoftimin në konferencën e përditshme për shtyp për koronavirusin nga Shtëpia e Bardhë.

Në urdhrin ezkekutiv të publikuar në faqen e Shtëpisë së Bardhë, thuhet se “do të ketë përjashtime për punonjës të mjekësisë dhe punonjës të tjerë të domosdoshëm për të luftuar epideminë, për bashkëshortë dhe fëmijë të mitur të qytetarëve amerikanë dhe disa të huaj të tjerë”.

“Kjo do të siguronte që amerikanët e papunë nga të gjitha grupet të jenë të parët në radhë për vendet e punës ndërsa ekonomia jonë rihapet”, tha Presidenti Trump. Në urdhrin ekzekutiv thuhet se “do të ishte e padrejtë që të lejoheshin amerikanët që kanë humbur punën për shkak të koronavirusit, që të zëvendësoheshin nga imigrantë të rinj që vijnë në Shtetet e Bashkuara”.

Të martën Presidenti kishte thënë se urdhri do të vlente vetëm për ata që kërkojnë qëndrim të përhershëm dhe jo për punonjësit e përkohshëm. Po ashtu ai kishte thënë se pauza 60-ditore në lëshimin e kartave të gjelbra, ishte një përpjekje për të kufizuar konkurrencën për vendet e punës në një ekonomi amerikane të goditur rëndë nga koronavirusi.

Gjatë konferencës për shtyp Presidenti Trump tha se urdhri edhe mund të modifikohet. “Mund të modifikohet javën e ardhshme ose në dy javët e ardhshme, ose edhe pas dy muajsh, Por për momentin kemi një masë shumë të rreptë ndalimi, por mund të modifikohet, të bëhet më i rreptë ose më i butë. Ne nuk duam të dëmtojmë bizneset tona”, tha Presidenti Trump.

Një zyrtar i administratës i njohur me planet e tij kishte thënë më herët se urdhri do të përqendrohej në parandalimin e njerëzve nga marrja e lejes për të jetuar dhe punuar në Shtetet e Bashkuara. Kjo do të përfshinte ata që aplikojnë për kartat e gjelbra të bazuara në punësim dhe bashkim familjar përmes poseduesve të tanishëm të kartave të gjelbra që nuk janë shtetas.

Presidenti Trump ka mbështetur prej kohësh kufizimet si ndaj imigracionit të ligjshëm ashtu edhe atij të paligjshëm dhe ka ngritur shqetësime prej vitesh në lidhje me të huajt që konkurrojnë me qytetarët amerikanë për vendet e punës. Në kushte normale një ndalesë mbi imigracionin do të prekte miliona njerëz, por një pjesë e madhe e sistemit të imigracionit tashmë ka ndalur operacionet për shkak të pandemisë së koronavirusit./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA