Policët në postbllok/ Kryesisht me maska të dhuruara, tani u janë shpërndarë prodhime fasonerie

23/04/2020 22:13

Ndodhem pranë njërit nga 70 postblloqet statike që janë vendosur në të gjithë Shqipërinë, për shkak të Pandemisë së Covid 19. Efektivët e policisë pas meje, që janë në gatishmëri që prej datës 8 Mars, janë struktura më e ekspozuar pas mjekëve dhe infermierëve për shkak të kontaktit që përditshëm që ata kanë me qytetarët.

Ndërkohë, maskat që ata mbajnë në fytyrë, kryesisht janë donacione siç ishte rasti që kryegjyshata Botërore Bektashiane i dhuroi policisë së Tiranës, 1000 maska dhe 1000 litra dezinfektantë.

Donacione bëri edhe Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, ku edhe ajo dhuroi për Policinë e Tiranës, 1000 maska, 1000 doreza dhe 110 litra dezifektantë.

Maska, doreza dhe dezifektantë për Policinë dhuroi edhe Federata Shqiptare e Peshëngritjes.

Nëse një efektiv policie, do të përdor një maskë të tillë të thjeshte,  për një shërbim 8 orë, do të duhet të përdorë dy të tilla, pasi specialistët thonë se këto maska mund  të përdoren 3-4 orë, më pas të hidhen.

Por së fundmi, policia e shtetit, efektivëve të saj u ka shpërndarë maska të tilla të prodhuara në fasoneri, të cilat mund të lahen dhe përdoren disa herë.

Ndërkohë, ndryshe nga policia, forcat e armatosura duket se pajisjen e trupave të saj me maska, e ka bërë nëpërmjet procesit të tenderimit dhe blerjes së maskave.

Kjo strukturë ka zgjedhur këtë mënyrë, pasi duke qenë pjesë e NATO-s, Për arsye sigurie donacionet mund të pranojë nga vendet anëtare të NATO-s.

Por ndërkohë, maska dhe doreza duhet të përdorin edhe mjeket dhe infermierët e qendrave shëndetësore apo mjekët e familjes. Prej disa ditësh, vizitat nuk po bëhen më online, por pacientët i presin në qendra, dhe për këtë arsye përdorimi i maskave apo dorezave është më i madh. Kryesisht këto pajisje mbrojtëse, mjekët dhe infermierët i kane siguruar nëpërmjet të ardhurave dytësore.

Ndërkohë ka edhe nga ata mjekë dhe infermierë që i kanë blerë maskat dhe dorezat me paratë e tyre, gjate javëve te pandemisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA