Ka nisur me debate seanca e sotme parlamentare , ku deputetë të opozitës janë shprehur se u mohohet koha për të folur në parlament.

Ata kërkuan që të bëhet tjetër ndarje për të drejtën e fjalës në seancë, duke mos u caktuar koha sipas grupeve parlamentare, por veçanërisht për deputetët.

“Është në shkelje të nenit 48 pika 3 e rregullores. Është hera e dytë që vidhet koha e opozitës dhe i jepet mazhorancës. 95 minuta mazhoranca, 25 minuta opozita. Edhe Pandeli Majko ka guxuar të votojë kundër mazhorancës, dhe këta nuk kanë ngritur një herë kartonin kundër nga ai që ngre Taulant Balla. O do bëjmë opozitës, o teatër, të flasin ata deputetë të opozitës dhe jo ata që i thurin lavde Edi Ramës”, tha deputeti Andi Përmeti.

Në të njëjtën linjë ishte edhe Halit Valteri: Të njëjtin shqetësim kam edhe unë. Për çfarë duhet të flasë 95 minuta mazhoranca, çfarë ka për të mbrojtur. Për çfarë ne kemi vetëm 15 minuta, se ti the shumë 25. E di që u shqetësove zoti balla, ne kemi vetëm fjalën në këtë parlament. As nuk iu ndalim dot, se i ke blerë 15 deputetë këtu, se ia çoni me whatapp, dhe votojnë, në komision i kalojnë ligjet siç i doni ju. Ose na thoni të ikim nga ai parlament e na thoni të ikim ku kanë dalë ata të parët, por menduam të sillnim diçka ndryshe.

Ndërsa Ralf Gjoni u shprej : I bashkëngjitem shqetësimit të kolegëve dhe dua t’u kërkoj me dashamirësi që vendimi i marrë në konferencën e kryetarëve për të ndarë kohën e diskutimeve nuk është zbatuar gjatë seancës së fundit. Koha iu dha kryeministrit. Unë nuk mendoj që në kushtet aktuale të cilësisë së këtij parlamenti, të grupeve parlamentare, koha të ndahet mes grupeve parlamentare. Koha duhet ndarë mes deputetëve, si deputetë, dhe jo si anëtarë të ndonjë grupi parlamentar, qoftë fake, që krijohen me urdhra të mazhorancës.

Ne kemi çështje jetike për shqiptarët për të diskutuar, dhe ne na mohohet e drejta e fjalës. Unë druaj se cilësia e jetës parlamentare po cenohet rëndë. Ju ftoj ta rishikoni këtë vendim dhe të ndahet koha në mënyrë më proporcionale. Nëse mazhoranca nuk do të ketë opozitës, do të ketë lëpirësa, dhe good luck, vazhdoni parlamentin me lëpirësat tuaj.

Top Channel