Zhyljen Varfaj ka dhënë dorëheqjen si kryetar bashkie i Durrësit.

Gjendja shëndetësore dhe ngarkesa për shkak të detyrës, e krijuar nga përballja me pasojat e tërmetit të 26 nëntorit dhe pandemia Covid 19 kanë çuar në këtë vendimmarrje të Varfaj.

Lajmi për dorëheqjen e tij është bërë i ditur pak më herët ndërsa kujtojmë se ai ishte komanduar në këtë detyrë pas dorëheqjes së Valbona Sakos.

Valbona Sako u largua në kohën e krizës së tërmetit, dhe shkak u bë një deklaratë e saj kur ishte në një lidhje live me gazetaren e Top Channel, Anila Hoxha ku kryebashkiakja tha “se jemi të kënaqur edhe me 50 viktima”.

“E lënduar nga reagimi i madh negativ ndaj një prononcimi që bëra, nën një stres që i kalon fuqitë e mia, jap dorëheqjen nga detyra e Kryetares së Bashkisë Durrës. Falenderoj nga zemra të gjithë ata që më besuan dhe shpresoj në mirëkuptimin e të gjithëve”, shkroi Sako asokohe.

Brenda pak muajsh bashkia nr. 2 në vend përballet me dorëheqjen e drejtuesve të saj, ndërsa qyteti dhe rrethinat e tij përballen me situatën më të vështirë në 3 dekadat e fundit.

Pas kësaj dorëheqjeje, pritet që Këshilli bashkiak të caktojë se cili prej 3 nënkryetarëve në detyrë të bashkisë do të ushtrojë funksionet e kryetarit të bashkisë.

Top Channel