Garda Revolucionare Islamike e Iranit ka thënë se ka lansuar me sukses një satelit ushtarak në orbitë për të parën herë.
Sateliti, i emëruar Nur (Drita), ka arritur orbitën e 425 kilometrave, pasi është bartuar nga raketa Qased, është thënë në deklaratë.
Suksesi i lansimit nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur.
Mirëpo Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka thënë se Irani ka shkelur rezolutën e Kombeve të Bashkuara dhe “duhet të mbahet përgjegjës”.
Ai ka folur pasi presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë përmes një postimi në Twitter se ka udhëzuar marinën amerikane “të rrëzojë dhe shkatërrojë të gjitha anijet iraniane që pengojnë anijet tona në det”.
Trump duket se i është referuar një incidenti në Gjirin Persik një javë më parë, për të cillin SHBA-ja ka thënë se 11 anije iraniane të Gardës Revolucionare kanë “penguar” gjashtë anije amerikane.
Irani në anën tjetër ka akuzuar SHBA-në për ofrim të “versionit hollivudian” të ngjarjes dhe ka thënë se marina amerikane ka bllokuar rrugën e anijeve iraniane këtë muaj.
Një zëdhënës i forcave të armatosura iraniane ka kritikuar deklaratën e Trumpit duke thënë se “në vend të përqeshjes së tjerëve”, SHBA-ja duhet të fokusohet në “ruajtjen e forcave të tyre të armatosura që janë infektuar me koronavirus”.
Këto dy shtete kanë qenë në prag të luftës në muajin janar, pasi Shtetet e Bashkuara kanë vrarë komandantin e forcave elite të Gardës Revolucionare, Qasem Soleimani, përmes një sulmi me dron në Irak.
Irani ndërkohë është përgjigjur duke nisur raketa balistike në bazat iraniane që strehojnë trupa amerikane.
Top Channel