Sipas një kërkimi mbi biosigurinë në universitetin e Nju Sauth Uellsit, në Australi, imuniteti i masës, është një mit.
Shkencëtarët kanë shpjeguar në fakt se nëse do të hiqej dorë nga kufizimet, për të ekspozuar vullnetarisht popullatën me qëllim krijimin e një imuniteti natyral, mund të përballemi me epidemi ciklike të Covid 19 e madje edhe të viruseve të tjera, një forcë punëtore ndjeshëm të reduktuar për shkak të sëmundjes, dhe viktima të tjera.
Përveç kësaj, do të kishte një rritje të madhe të infektimeve me pak avantazh që do të pasohej nga nevoja për më shumë izolim, sepse sistemi shëndetësor do të rëndohej shumë. Përgjegjësja për projektin, Raina MacIntyre, ka shpjeguar se reduktimi apo anulimi i masave kufizuese me qëllim fitimin e imunitetit të masës, do të kishte pasoja të rënda tek shoqëritë.
Do të kishim gjysmën e forcës punëtore të sëmurë ose në karantinë dhe një shtim masiv të virusit në spitale, në kurriz të ndërhyrjeve dhe trajtimeve të tjera. Për momentin- thotë ajo – nuk e dimë se sa zgjat imuniteti nga Covid 19, nuk dimë nëse do të ketë mutacione qoftë edhe të vogla që do të bënin që të qarkullonte një virus pakëz ndryshe. Nëse kjo do të ndodhte, nuk e dimë nëse një ekspozim i mëparshëm do të ofronte imunitet të mjaftueshëm.
Top Channel