Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka akuzuar presidentin Hashim Thaçi se me veprimet e fundit antikushtetuese për formimin e qeverisë së re, po tenton të kapë trenin e fundit për të shpëtuar veten, por, siç u shpreh ai, duk u munduar ta rrëzojë Vetëvendosjen, ai do ta rrëzojë veten pakthyeshëm.

Komentet e tij vijnë pak orë pasi që kreu i vendit paralajmëroi se do t’ia japë mandatit partisë e cila do të sigurojë shumicën në Kuvend, duke anashkaluar kështu Lëvizjen Vetëvendosje si parti e parë në zgjedhjet e 6 tetorit, pasi kjo e fundit nuk ka dërguar emrin e mandatarit.

Kurti ka paralajmëruar se do të dërgojë çështjen në Kushtetuese, teksa drejtoi akuza ndaj Thaçit për tejkalim të kompetencave, madje e quajti edhe president ilegal.

“Pas thirrjes për mos zbatim të vendimeve të qeverisë, kjo e sotmja është përpjekja më e egër e presidentit për të shthurur rendin kushtetuese, vullnetin e shprehur me votë nga qytetarët po përpiqet ta mbyllë me një dekret antikushtetues ku do ta përjashtojë partinë e parë fituese të zgjedhje. Nga roli unifikues, presidenti sot doli në ilegalitet dhe formalizimi i deklarimeve të sotme do të përfundojë në Gjykatë Kushtetuese. Këtë mundësi presidentit ilegalist ia mundësuan krerët e LDK-së, që braktisën çdo fjalë të thënë e të dhënë ndaj qytetarëve dhe ndaj nesh… Presidenti vazhdon të thirret në Kushtetutë dhe aktgjykimin e kushtetueses, por veprimet e tij të cilat janë në kundërshtim me nenet e Kushtetutës të cilave iu referuar dhe aktgjykimit që ai përmend, tregojnë se ai dhe stafi i tij nuk e kanë lexuar me kujdes të njëjtë ose mbase edhe nuk i kanë kuptuar”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, presidenti Thaçi ka zhvilluar konsultime me partitë në Kuvend me qëllim të vlerësimit të partive për zgjedhje të reja, apo qeveri të re, duke thënë se kjo nuk është në kompetencën e tij vlerësimi i interesave të partive, por mbrojtja e rendit kushtetuese.

Ai tha se presidenti duke u munduar ta rrëzojë qeverinë e tij, njëherësh do ta rrëzojë veten.

“Duke u munduar të na rrëzojë ne, është duke rrëzuar veten dhe pakthyeshëm. Sot një klub i stërvjetëruar politik treguan se nuk janë për zgjedhje, kështu duke thënë të vërtetën e mallit të tyre frikën e përballjes me vullnetin e qytetarëve”, tha Kurti.

I pyetur nëse do ta lëshojë qeverisë pas formimit të qeverisë së re, kryeministri Kurti nuk ka dhënë shenja për një gjë të tillë, duke thënë se qeveria që ai drejton do të vazhdojë punën kundër luftimit të koronacvirusit.

“Më datën 6 tetor ka ndodhur ndryshimi madh, ka dalë zogu nga lëvozhga nuk kthehet më mbrapa. Presidentit i kanë mbetur edhe disa muaj mandat. Presidenti po tenton të kapë trenin e fundit, por i ka ikur treni i fundit, nuk ka më trena për presidentin dhe këto orvatje antikushtetuese sa e rrezikojnë rendin demokratik, por nuk mund ta shtypin vullnetin e popullit dhe të na kthejnë pas 6 tetorit… S’ka më datë tjetër, ku konjuktura e vjetër bëhen bashkë si një klub i stërvjetër që të na kthejnë mbrapa, kjo është e pamundur”, tha Kurti.

Ai ndërkaq ka paralajmëruar se do ta dërgojë vendimin e Thaçit për formimin e qeverisë së re në Kushtetuese.

“Për qeveri të re kemi theksuar se duhet të mbahen zgjedhjet e reja, pas pandemisë, çfarëdo vendimi tjetër është devijim dhe kundër vullnetit të qytetarëve dhe tejkalim i kompetencave të presidentit. Ne do të ndjekim me kujdes se çfarë do të ndodhë në ditët e ardhshme dhe do t’i drejtohemi edhe Kushtetueses sapo të kalohet nga fjalët e presidentit në tekste të shkruara”, tha Kurti.

Sipas tij, zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e reja që do të mbaheshin pas përfundimit të pandemisë COVID-19./KosovaPress/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA