Raporti i Reporterëve pa Kufij, Basha: Nismat e qeverisë përkeqësuan lirinë e medias

21/04/2020 19:53

TIRANË-  Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka komentuar raportin e Reporterëve pa Kufij për lirinë e medias, ku sipas këtij raporti Shqipëria ka humbur 2 pozicione dhe bën fajtore qeverinë.

Sipas kryedemokratit nismat e qeverisë përkeqësuan lirinë e medias në Shqipëri. Ndër të tjera kreu i PD është shprehur se kjo ka ardhur si pasojë e nismave të qeverisë për të censuruar fjalën e lirë e ushtruar presion ndaj atyre që denoncojnë korrupsionin, lidhjet e politikës me krimin dhe abuzimet me fondet publike.

“Shqipëria është përkeqësuar dhe ka rënë më poshtë në indeksin e lirisë së medias! Kjo ka ardhur si pasojë e nismave të qeverisë për të censuruar fjalën e lirë e ushtruar presion ndaj atyre që denoncojnë korrupsionin, lidhjet e politikës me krimin dhe abuzimet me fondet publike.

Ai që ka frikë nga fjala e lirë është armik i demokracisë. Ai që përditë nëpërkëmb dhe ofendon gazetarët, duke kërcënuar ata që mendojnë ndryshe e denoncojnë aferat korruptive, ai përditë largon gjithnjë dhe më shumë vendin dhe shqiptarët nga standartet europiane.

Censura, dhuna dhe autocensura në një vend që pret për antarësim në Bashkimin Europian, i shtohen panoramës së hidhur të krimit dhe korrupsionit që kjo qeveri servir në tryezën e ligjvënësve europianë”, deklaron Basha.

Top Channel