Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar mënyrën e aplikimit për të përfituar “pagën e luftës” 40 mijë lek në kuadër të masave të ndërmarra për përballimin e situatës së krijuar nga Covid-19.

Kjo është paketa e dytë e ndihmës financiare dhe aplikimet bëhen për të të përfituar ndihmën financiare sipas VKM nr. 305, datë 16.04.2020

Në bazë të VKM nr. 305, datë 16.04.2020 “Përcaktimin e procedurave, të dokumentacionit  dhe të masës së përfitimit të ndihmës financiare për të punësuarit aktualë dhe punonjësit e larguar nga puna si pasojë e covid-19”, aplikimi do të kryhet nga subjektet, të cilët do të plotësojnë të dhënat e punonjësve të tyre, përfitues sipas kritereve të VKM së sipërcituar.

Aplikimi kryhet nga subjektet të cilët plotësojnë kushtet sipas VKM nr. 305, datë 16.04.2020, masat përfituese për të cilët janë:

Masa 1

  • Të punësuarit e subjekteve me të ardhura vjetore mbi 14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë, të mbyllura sipas Urdhrit/ave të MSHMS, të cilët kanë qenë në punë në datën e hyrjes në fuqi të Urdhrit/ urdhrave të MSHMS, përfitojnë ndihmë financiare prej 40.000 (dyzetëmijë) lekë.

Masa 2

  • Të punësuarit e subjekteve të lejuar për të ushtruar aktivitet, të cilët janë larguar nga puna nga data e hyrjes në fuqi të Urdhrit/urdhrave të MSHMS deri në datën 10 Prill 2020, përfitojnë ndihmë financiare prej 40.000 (dyzetëmijë) lekë. Data e dorëzimit të formularit E-sig 027, nuk duhet të jenë më e vonë së 10 Prill 2020.

Masa 3

  • Të punësuarit e subjekteve me të ardhura vjetore deri në 14 000 000 lekë, të lejuara për të ushtruar aktivitet sipas urdhrit/ave të MSHMS, të cilët kanë qenë në punë në në datën e hyrjes në fuqi të Urdhrit/ave të MSHMS, përfitojnë ndihmë financiare prej 40.000 (dyzetëmijë) lekë. (Nuk përfshihen punonjësit përfitues sipas pikës 2)

Masa 4

  • Të punësuarit e subjekteve që ushtrojnë aktivitet në sektorin e strukturave akomoduese, të cilët figurojnë në listepagesat e subjekteve, deri në datën e Urdhrit/ave të MSHMS, përfitojnë ndihmë financiare prej 40.000 (dyzetëmijë) lekë. Nëse subjekti ushtron disa lloje aktivitetesh, përfitojnë vetëm të punësuarit në aktivitetin e strukturës akomoduese.

Për të dorëzuar formularin “Kërkesë për përfitim të ndihmës financiare 2”, tatimpaguesve që plotësojnë kriteret e mësipërme, pasi të njoftohen në llogarinë e tyre të deklarimit elektronik në e-filing, do t’iu jepet mundësia të aplikojnë nëpërmjet kësaj llogarie. Aplikimi do të kryhet vetëm 1 herë.

Trajtimi i aplikimeve për subjektet përfitues të masave 2 dhe 3, është automatik, ndërsa aplikimet për përfituesit e masave 1 dhe 4 do të verifikohen dhe trajtohen nga DRT.

Nëse aplikimi Kërkesë për ndihmë financiare, është refuzuar (plotësisht apo pjesërisht), tatimpaguesi do të ketë keni mundësi të ankohet, duke plotësuar Formularin e ankesës në llogarinë e-filing, e cila do të publikohet në ditët në vijim.

Pas shqyrtimit të ankesës, nëse ajo do të rezultojë e drejtë, tatimpaguesi do të njoftohet dhe do të ketë mundësi të riaplikojë për përfitim të ndihmës financiare.

Udhëzuesi praktik mbi mënyrën e aplikimit dhe plotësimit të Kerkeses per ndihme financiare  nr.2 (bashkëngjitur këtij njoftimi) shpjegon hapat që duhet të ndiqen për plotësimin në mënyrë korrekte të tij.

Kujdes:

  • Aplikimi për të përfituar ndihmë financiare do të kryhet nga subjekti i të punësuarit/ve dhe punonjësi/it, që janë në më tepër se në një listëpagesë, përfitojnë si ndihmë financiare vetëm një pagesë.
  • Të dhënat e llogarisë bankare, bëjnë pjesë në të dhënat e detyrueshme për t’u plotësuar në Formularin e përfitimit të ndihmës financiare 2. Ato duhet të disponohen nga individët përfitues dhe duhet t’i vihen në dispozicion subjektit, përpara kryerjes së aplikimit elektronikisht në llogarinë e deklarimit elektronik.
  • Subjektet që do të plotësojnë kërkesën, duhet të sigurohen që të plotësojnë të dhënat e sakta të individëve përfitues, ku banka dhe IBAN i llogarisë bankare janë të dhëna shumë të rëndësishme. Plotësimi i pasaktë i këtyre të dhënave bllokon procesin e kalimit të pagesës në logarinë e individëve përfitues.
  • Individët, me status i vetëpunësuar, përfitues sipas VKM-së Nr. 305, datë 16.04.2020, në plotësimin e Formularit për përfitimin e ndihmës financiare, nëse nuk disponojnë një llogari personale, mund të përdorin të dhënat e llogarisë bankare të hapur për qellim të biznesit. Nëse nuk e disponojnë një llogari biznesi, do të duhet të paraqiten pranë një prej bankave të niveli të dytë, për të bërë të mundur hapjen e një llogarie bankare personale apo biznesi.
  • Individët përfitues (punonjësit e papaguar të familjes të personit fizik tregtar; të punësuarit në personat fizikë tregtarë; të punësuarit në personat juridikë), të cilët nuk disponojnë një llogari bankare aktive, duhet të paraqiten pranë një prej bankave të nivelit të dytë që operojnë në vendin tonë, për të bërë të mundur hapjen e një llogarie bankare.
  • Subjektet me status i vetëpunësur, të cilët mund të jenë nën masa të mbledhjes me forcë të detyrimeve tatimore (bllokim llogarie bankare), duhet të hapin një llogari personale bankare, (e cila nuk mund të përdoret për qëllime te tjera), për të bërë të mundur përfitimin e ndihmës financiare.

FOTO GALERI
3/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA