TIRANË- Javën e ardhshme do të zgjerohet orari i mundësuar për qytetarët që të bëjnë pazaret e nevojshme.
Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri i vendit Edi Rama i cili ka njoftuar gjithashtu se do të lejohen edhe shërbimet taksi nga një qytet në një qytet tjetër në mënyrë që qytetarët e ngecur si pasojë e masave të ndërmarra nga Covid-19 të mund të lëvizin.
“Imponimi i rregullave duhet të vazhdojë se ndryshe humbet çdo vlerë. E di që ju kanë lodhur lejet e kufizimet por kjo është edhe një dhimbje koke edhe për mua. Javën e ardhshme do të rrisim orarin në Pazar dhe do të hapim shërbimin taksi. Nga një qytet në tjetrin.” tha Rama.
Ndër të tjera kryeministri Rama ka njoftuar se duke nisur nga 4 maj do të fillojë gradualisht hapja e bizneseve të kategorisë së tretë (ata që janë të një risku të lartë për përhapjen e Covid-19), si dhe lehtësimin e lëvizjeve për këmbësorët dhe makinat.
“Nga e hëna 4 Maj do të lehtësojmë lëvizjen brenda qyteteve me këmbë e makinë. Jo vetëm makinat që duan të shkojnë në punë. Do të hapim edhe bllokun e tretë të bizneseve. Prandaj edhe pak durim. Hapja do të garantohet me rregull, bizneset do ta mbajnë këtë vërtetim në “e Albania”. Në fund të ditës këto leje e autorizim duhen për të garantuar shëndetin e gjithsecilit.” tha Rama.
Top Channel