Dy ish-deputetet e PD: Fasoneritë si bomba me sahat për Covid-19,  në Krujë 67 të infektuar me koronavirus brenda tre ditëve               

21/04/2020 19:31

Dy ish-deputetet e Partisë Demokratike, Albana Vokshi dhe Oriola Pampurkanë qenë të pranishmr ditën e sotme në qytetin e Krujës pranë një fasonerie.

Me anë të një deklarate për mediat Vokshi është shprehur se fasoneritë janë si bomba me sahat dhe ato duhen çaktivizuar. Sipas saj Qeveria është përgjegjëse për përkeqësimin e situatës në Krujë me Covid-19. Ajo ka shtuar se se “rezultati i kokëfortësisë së Edi Ramës është 67 persona të prekur brenda 3 ditëve vetëm nga fasoneritë e Krujës. “

Ndërsa për Pampurin është i padrejtë standardi i dyfishtë i Ramës për të ruajtur veten me mbledhje online, ndërsa gratë e fasonerive detyrohen të shkojnë në punë.

Pampuri ka shtuar se  “l të sakrifikojë Rama një vjedhje më pak dhe të mos lërë në mëshirë të virusit 70 mijë gratë dhe vajzat e fasonerive. “

Deklaratë Partia Demokratike, Albana Vokshi dhe Orjola Pampuri nga një fasoneri në Krujë:

ALBANA VOKSHI

Fasoneritë janë bomba me sahat. Brenda pak ditëve janë 40 të infektuar në Krujë, 27 në Laç. Vatrat e infeksionit janë fasoneritë dhe më të prekurat janë vajzat dhe gratë. Vajzat dhe gratë që punojnë në fasoneri janë më të pambrojturat. Arsyeja e vetme është se qeveria nuk do që t’ia dijë për to. Për Edi Ramën ka rëndësi që të mos i mërziten klientët me të cilët vjedh dhe pasurohet vetë, jo shëndeti i mbi 70 mijë vajzave dhe grave që punojnë në fasoneri. Është jetike që qeveria të mbyllë menjëherë këto biznese që janë vatra të rrezikshme për përhapjen e shpejtë të infeksionit Kemi 5 javë që ia themi Edi Ramës, por ai vepron me kokëfortësi. Rezultati i kokëfortësisë së Edi Ramës është 67 persona të prekur brenda 3 ditëve vetëm nga fasoneritë e Krujës.

Shëndeti i grave dhe i vajzave duhet të jetë prioritet i qeverisë. Edi Rama duhet të hapë sytë dhe të vendosë për më të mirën e grave. Gratë dhe vajzat nuk janë mish për top që ai t’i përdorë si statistika kur i duhen politikisht. Ato janë nëna fëmijësh që për shkak të vendimeve të gabuara të qeverisë së Edi Ramës, po infektojnë edhe fëmijët e tyre.

Gjendja është e rëndë. Nuk duhet të presim që të hyjnë të gjitha gratë në karantinë që të mbyllen fasoneritë. Vendimi duhet marrë sot. Po sot duhet marrë edhe vendimi për mbështetjen financiare të ketij biznesi. Asgjë nuk i kushton qeverisë të shpëtojë nga rreziku jetën e mbi 70 mijë grave dhe vajzave duke anulluar 3 koncesionet e inceneratorëve. Me paratë e tyre, e përballon fare mirë pagën për keto gra dhe vajza që shkojnë në punë me frikë dhe jetojnë me tmerrin e virusit.

ORJOLA PAMPURI

U informuam se gjendja është shumë e rënduar. Ditë më parë unë kam biseduar me disa prej vajzave dhe grave që punojnë në fasoneri. Erinda, njëra prej tyre më tregoi stresin e jashtëzakonshëm dhe presionin e jashtëzakonshëm në të cilin punon.

Është e padrejtë që qeveria të vendosë me mijëra gra dhe vajza nën presionin e përballjes me sëmundjen 10 orë në ditë pa pushim. Mund të them se ky është një veprim armiqësor ndaj grave dhe vajzave, pasi me stresin e Erindës punojnë të gjitha gratë në Krujë dhe në çdo fasoneri.

Në fasoneritë shqiptare është e pamundur që të krijohen kushtet e duhura për distancimin social, për shkak të mjediseve të vogla. Jo vetëm në Krujë, por në të gjithë Shqipërinë, situata është e njëjtë. Sado që punëdhënësit përpiqen të krijojnë kushtet, kjo është e pamundur. Vetëm një vendim i qeverisë për mbylljen dhe pagesën e tyre e zgjidh problemin.

Të dhënat nxjerrin në pah sesa larg realitetit është qeveria e Edi Ramës dhe sa pak kujdeset ajo për shtresat me të pambrojtura. Duhet theksuar se gratë dhe vajzat në fasoneri punojnë me një pagë minimale. Ato nuk e meritojnë që të diskriminohen nga qeveria.

Pse Edi Eama duhet ta ruajë veten, familjen e tij, gratë e qeverisë së tij, deputetet e tij duke bërë mbledhje online, ndërsa grave dhe vajzave që punojnë në fasoneri u thotë me arrogancë që duhet të shkoni në punë dhe të përballeni me virusin?

Në zonën e Krujës janë në punë 20 fasoneri. Të gjitha bomba me sahat. Duhen mbyllur sot. Aty punojnë rreth 5 mijë gra e vajza nga zonat përreth, prandaj virusi është përhapur me shpejtësi edhe në Kurbin. 60 të prekur brenda pak ditësh është katastrofë.

Vendimi për mbylljen e tyre duhet marrë sa nuk është vonë. Le të sakrifikojë Rama një vjedhje më pak, një favor më pak për klientët e tij. Gratë, vajzat dhe familjet e tyre nuk duhen lënë në dorë të fatit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA