Koronavirusi rindez debatin për votimin me postë në Shtetet e Bashkuara

18/04/2020 05:45

Kongresi është duke kërkuar mënyra për të mbrojtur zgjedhjet e 3 nëntorit në Shtetet e Bashkuara në mes të pandemisë së koronavirusit, me një luftë partiake që po zhvillohet pasi demokratët propozuan që shteteve amerikane t’u vendoset detyrimi të ofrojnë mundësinë e votimit me postë. Presidenti Donald Trump, i cili kërkon rizgjedhjen këtë vit, si dhe disa nga aleatët e tij republikanë, kanë shprehur kundërshtimin për zgjerimin e sistemit të votimit me postë, duke përmendur si arsye shqetësimin për manipulim me votat – një shqetësim që demokratët nuk e pranojnë.

Demokratët kanë thënë se procedurat zgjedhore do të duhet të ndryshojnë këtë vit, pasi shumë votues do të hezitojnë të qëndrojnë në radhë të gjata, ose të hyjnë në vendvotime të mbushura me njerëz, nga frika e infeksionit. Vitet e fundit, demokratët gjithashtu i kanë akuzuar republikanët se në disa shtete ndjekin politika për ta bërë më të vështirë votimin, si përpjekje për të çinkurajuar votuesit demokratë. Ligjvënësit demokratë po bëjnë presion që të shtohen fonde të tjera për asistencën zgjedhore për shtetet amerikane, në raundin tjetër të legjislacionit për përgjigjen ndaj koronavirusit që pritet të hartohet nga ligjvënësit në javët e ardhshme.

Demokratët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve ndërsa republikanët kontrollojnë Senatin. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, ka propozuar të kërkohen 2 deri në 4 miliardë dollarë ndihma të reja të lidhura me zgjedhjet për shtetet amerikane. Republikanët kanë thënë se janë të hapur për të marrë në konsideratë disa fonde emergjence shtesë, nëse rezultojnë të pamjaftueshme 400 milionë dollarët e aprovuar për këtë qëllim në legjislacionin e miratuar në 27 mars. Fokusi i demokratëve është në sigurimin e parave në mënyrë që shtetet të krijojnë ose të zgjerojnë opsionet ekzistuese të “votimit përmes postës” me legjislacion të ri, duke u kërkuar shteteve që ta ofrojnë mundësinë e votimit me postë, si një alternativë e votimit në person.

Zgjedhjet paprake demokrate të 7 prillit në Uiskonsin u dëmtuan ngaqë shumë vendvotime u mbyllën prej mungesës së stafit për shkak të pandemisë, ndërsa votuesit e veshur me veshje mbrojtëse të improvizuara prisnin në radhë të gjata dhe me orë të tëra për të hedhur fletën e votimit. Shteti Uiskonsin i zhvilloi zgjedhjet pasi ligjvënësit republikanë paditën dhe bllokuan me sukses planin e guvernatorit demokrat për të shtyrë votimin për motive të shëndetit publik.

“SIGURIMI I ZGJEDHJEVE”
Senatorja demokrate Amy Klobuchar, e cila po drejton përpjekjet për votimin nëpërmjet postës, së bashku me Kryetaren e Komisionit për Administrimin në Dhomën e Përfaqësuesve, Zoe Lofgren, gjithashtu një demokrate, hodhën poshtë akuzat e republikanëve se po përpiqen të drejtojnë nga Uashingtoni zgjedhjet e 50 shteteve. “Ne po mundohemi t’i bëjmë zgjedhjet të sigurta, kjo është gjithçka që po bëjmë,” tha Senatorja Klobuchar në një intervistë telefonike, duke iu referuar pandemisë.

Ka pasur një “ndryshim rrymash”, tha Senatorja Klobuchar, në qëndrimet jashtë Uashingtonit ndaj votimit me postë. Ajo vuri në dukje se Guvernatori republikan Chris Sununu, i shtetit Nju Hempshër, ka njoftuar votimin me postë në shtetin e tij në nëntor, nëse koronavirusi vazhdon të përbëjë kërcënim. Senatorja Klobuchar kandidoi pa sukses për të marrë nominimin presidencial demokrat dhe konsiderohet si kandidatja më e mundshme për të kandiduar së bashku me ish-Nënpresidentin Joe Biden në zgjedhjet e nëntorit.

Çdo përcaktim zgjedhor nga Uashingtoni shkakton polemika në demokracinë amerikane, në të cilën larmia e procedurave të votimit të shteteve janë shenja dalluese e zgjedhjeve. “Ju nuk mund të përdorni një krizë si kjo … për të nxitur shtetëzimin e zgjedhjeve,” tha Ligjvënësi Rodney Davis, anëtari më i lartë republikan në Komisionin e Administrimit të Dhomës së Përfaqësuesve, i cili mbikëqyr ndihmën federale për shtetet mbi sigurinë e zgjedhjeve. “Ajo që mund të funksionojë në një zonë urbane mund të mos funksionojë në një zonë rurale,” tha Ligjvënësi Davis në një intervistë telefonike.

Shumica e shteteve kanë shkallë të ndryshme të votimit me postë. Pesë shtete – Kolorado, Hawaii, Oregon, Juta dhe shteti Uashington – i dërgojnë çdo votuesi një fletëvotimi në shtëpi. Presidenti Donald Trump tha gjatë një konference për koronavirusin më 7 prill se “fletëvotimet me postë janë një gjë shumë e rrezikshme për këtë vend”. Ai pranoi se kishte votuar vetë me postë muajin e kaluar në zgjedhjet paraprake republikane të shtetit Florida. “Tani… votimi me postë – ata mashtrojnë. OK? Njerëzit mashtrojnë”, tha Presidenti Trump. “Janë manipulatorë në shumë raste,” shtoi Presidenti Trump, pa ofruar prova.

Një sondazh i zhvilluar këtë muaj nga Reuters / Ipsos zbuloi se 72% e amerikanëve në moshë madhore, përfshirë 79% e demokratëve dhe 65% e republikanëve, mbështesin vendosjen e detyrimit për votimin nëpërmjet postës, si një mënyrë për t’i mbrojtur votuesit në rastin e përhapjes së vazhdueshme të koronavirusit. Demokratët kanë thënë se përvoja ka treguar se votimi me postë nuk ka gjeneruar manipulime të konsiderueshme dhe se republikanët mund të marrin rezultate po aq të mira sa demokratët në zgjedhje të tilla.

Qendra e Politikave Dypartiake, një qendër studimore me seli në Uashington, vlerëson se kostoja për rritjen e aftësive të votimit me postë do të jetë në 1.5 miliard dollarë. Qendra jopartiake “Brennan” për Drejtësi, në Shkollën Juridike të Universitetit të Nju Jorkut e vlerësoi atë më afër 2 miliardë dollarëve. Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 u hodhën rreth 130 milionë vota. Pjesëmarrja këtë vit mund ta tejkalojë këtë, sipas disa parashikimeve. Përveç garës presidenciale, një e treta e vendeve të Senatit të Shteteve të Bashkuara dhe të gjitha vendet e Dhomës së Përfaqësuesve do të përcaktohen nga zgjedhjet e nëntorit, së bashku me gara të ndryshme elektorale në nivel shtetëror dhe lokal. Një zgjerim kombëtar i sistemit të votimit me postë do të kërkonte nga shtetet që të blinin miliona fletëvotime për t’u postuar dhe makineri për të menaxhuar fletëvotimet e dërguara nga votuesit, pagesa për shërbimin postar, si dhe trajnim të punonjësve në vetëm pak muaj, tha një ndihmës demokrat në Dhomën e Përfaqësuesve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA