Teksa vijon kontrolli i territorit, për zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, si dhe për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, në Durrës është goditur një rast i armëmbajtjes pa leje.

Bëhet fjalë për një 44-vjeçar të arrestuar në flagrancë, i cili përveçse hapi lokalin në kundërshtim me Aktin Normativ, mbante edhe armë zjarri pa leje brenda në godinën e biznesit të tij.

Mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative për një shtetas që kishte hapur lokalin në kundërshtim me Aktin Normativ dhe se në lokal kishte dhe armë zjarri, policia prangosi E. L., 44 vjeç, banues në Durrës.

Pas kontrollit të ushtruar në lokalin e tij në lagjen nr. 18, Durrës, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë tip “Beretta” dhe një krehër me 4 fishekë. Gjithashtu u mor masë administrative sipas Aktit Normativ, neni 3, pika 7, për subjektin “Bar Kafe” në administrim të shtetasit E. L., i cili u konstatua i hapur.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën Kodi Penal parashikon dënimi me burgim deri në 7 vjet. Ju kujtojmë se një ditë më parë u arrestua një tjetër shtetas që qarkullonte me armë zjarri me vete.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA