Presidenti Ilir Meta ka pranuar publikisht se ka patur debat mes kryetarit të opozitës Lulzim Basha dhe kryeministrit Edi Rama gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Kreu i shtetit zbuloi në emisionin Open në Top Channel edhe dy pikat e përplasjes. Për herë të parë, Meta nënvizoi nevojën e më shumë testeve. Kjo do të shërbente në hapjen e sigurtë të vendit, tha Meta.

Është folur shumë në media se ka pasur debat mes Bashës dhe Ramës, kishte debat?- e pyeti Eni Vasili.

“Do shqetësohesha po të mos kishte patur debat, lidhur me pikëpamjet e ndryshme për çështje të caktuara.  Është një sfidë që kërkon kohën e saj. Të gjithë në Shqipëri i kanë shërbyer zgjidhjes së krizës. Askush nuk është kundër kufizimeve, flitet vetëm për mënyrën e tyre”- tha Meta.

Debati ishte për ekonominë?- vijoi me pyetjet Eni Vasili.

“Nuk dua të bëhem zëdhënës i debateve të kësaj mbledhje. Nuk është sekret që opozita insiston tek testimet. Testimet kanë ardhur në rritje graduale, do të rriten edhe më tej. Nuk mendoj se qeveria është kundër. Është e domosdoshme të rritet numri i testimeve në shërbim të hapjes për ekonominë”- u shpreh presidenti në Open.

Top Channel