Hungaria ka thënë se do të dëbojë 14 studentë iranianë më 16 prill, për shkak të shkeljes së rregullave të karantinës, pas përhapjes së koronavirusit.
Iranianët kanë pasur “sjellje anti-shoqërore”, teksa ka qenë në karantinë në një spital në Budapest muajin e kaluar, ka thënë togeri policer, Robert Kiss.
Më 16 prill pritet të dëbohen 11 studentë, ndërsa të tjerët më 23 prill.
Dëbimet vijnë pas ankesave të bëra nga Ministria hungareze e Shëndetësisë, e cila ka akuzuar studentët se kanë dalë nga dhomat e spitalit pa leje dhe pa pajisje mbrojtëse.
Ata kanë refuzuar të kthehen nëpër dhoma dhe kanë pasur qasje agresive ndaj stafit mjekësor, ka thënë ministria.
Komitetit hungarez i Helsinkit, grup për të drejta të njeriut që përfaqëson njërin prej studentëve, i ka cilësuar akuzat e Budapestit “absurde”.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Abbas Mousavi, ka thënë për mediat javën e kaluar se vendimi për dëbime “është tejet fatkeq”.
Hungaria, vend me popullsi gati 10 milionë banorë, ka regjistruar pothuajse 1,600 të infektuar dhe 134 të vdekur si pasojë e sëmundjes, Covid-19, që shkakton koronavirusi.
Top Channel