Pas rinisjes së procedurave për riatdhesimin e shtetasve shqiptarë që mbetën të bllokuar në vendet e Bashkimit Europian gjatë pandemisë Covid 19, në Golem të Kavajës strukturat hoteliere po përgatiten të presin të riatdhesuarit e parë.
Aktualisht në dispozicion janë vendosur dy hotele karantinë në zonën e Golemit, të cilat kanë kthyer në punë personelin e tyre për të përgatitur ambjentet që më pas do të dizinfektohen.
Ndërkohë ata që do të riatdhesohen mund të zgjedhin dhomën, në bazë të numrit të personave dhe fëmijëve që kanë.
Pas vendimit të qeverisë për mbulimin e një pjese të shpenzimit për karantinimin në hotel, interesimi i shqiptarëve për kthimin në atdhe ka qenë i lartë. Sipas agjencive të udhëtimit dhe hoteleve pritëse, interes ka pasur dhe nga qytete të tjera të Europës që nuk janë në listën e publikuar paraprakisht të fluturimeve. Ndërkohë me rritjen e kërkesave pritet që të shtohen dhe njësitë akomoduese për karantinim e tyre në bregdetin e Durrësit.
Top Channel