Departamenti amerikan i Thesarit ka urdhëruar që nënshkrimi i Presidentit Donald Trump të shfaqet në çeqet që u dërgohen dhjetëra miliona amerikanëve, si pjesë e përpjekjes së qeverisë për të nxitur ekonominë e vendit përballë pandemisë së koronavirusit. Normalisht, kur qeveria amerikane ka dërguar çeqe rutinë të asistencës mujore ose shuma të rastësishme stimuli financiar në vitet e kaluara, ato janë nënshkruar nga një shërbyes civil nga agjensia që i lëshon ato.
Shtetet e Bashkuara dërguan këtë javë 80 milionë depozita direkte në llogaritë bankare të amerikanëve për të cilët kishte numrat e llogarive në dosje. Emri i Presidentit Trump nuk figuron në depozitat e drejtpërdrejta, pjesë e planit të shpëtimit prej 2 trilionë dollarësh të qeverisë amerikane për ekonominë e goditur, duke dërguar deri në 1.200 dollarë pagesa për rreth 90% të amerikanëve të rritur. Por, qeveria në ditët në vijim ka filluar të dërgojë fleta çeqesh për 70 milionë amerikanë për të cilët ka vetëm adresën e shtëpisë, por jo edhe informacione për llogarinë e tyre bankare.
Këto çeqe do të tregojnë nënshkrimin e udhëheqësit amerikan – “Presidenti Donald J. Trump” – në anën e majtë të fletëpagesës. Do të jetë hera e parë që nënshkrimi i një presidenti amerikan do të shfaqet në një disbursim nga agjensia e mbledhjes së taksave të vendit, Shërbimi i të Ardhurave të Brendshme (IRS). Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë i thanë gazetës Washington Post se Presidenti Trump i kishte sugjeruar Sekretarit të Thesarit Steven Mnuchin, i cili mbikëqyr agjencinë e taksave, ta lejojë atë që të nënshkruajë zyrtarisht pagesat e stimulit ekonomik.
Në fillim të prillit, në një konferencë lajmesh, Trump mohoi të donte të kishte emrin e tij në pagesat me postë. “A dua t’i nënshkruaj ato? Jo”, tha ai. Por, ai i përshkroi përpjekjet për shpëtimin financiar nga koronavirusi, me dërgimin e më shumë se 292 milionë dollarëve për familjet amerikane, si një “iniciativë e administratës Trump”. Agjensia tatimore ka aftësinë të dërgojë me postë rreth pesë milionë kontrolle në javë, kështu që procesi mund të zgjasë muaj me radhë.
Presidenti Trump, duke u përballur me sfidën e rizgjedhjes në nëntor përballë ish-Nënpresidentit Joe Biden, po bën presion për të rihapur ekonominë e vendit, ose të paktën pjesë të saj deri më 1 maj, megjithëse ndërkaq numri i rasteve të konfirmuara të koronavirusit po rritet në Shtetet e Bashkuara, duke arritur në mbi 600 mijë, ndërsa numri i vdekjeve ka arritur në 26 mijë. Deri në momentin kur koronavirusi goditi Shtetet e Bashkuara, forca e ekonomisë amerikane, më e madhja në botë, ishte pika më e fortë e fushatës së Presidentit Trump për rizgjedhjen për një mandat të ri katër vjeçar në Shtëpinë e Bardhë.
Ditët e fundit, Presidenti Trump ka mbrojtur me forcë veprimet e tij në betejën kundër virusit, megjithëse njoftime e reja të lajmeve treguan që këshilltarët e paralajmëruan atë në javët e para të vitit për kërcënimin e koronavirusit. Presidenti Trump minimizoi shqetësimet gjatë gjithë janarit, shkurtit dhe gjysmës së marsit, përpara se të shpallte një emergjencë kombëtare në mes të marsit. Udhëheqësi demokrat në Senat, Chuck Schumer, shpesh një kritik i Presidentit Trump, i tha kanalit MSNBC mbrëmjen e së martës se direktiva e Presidentit Trump për të pasur nënshkrimin e tij në çeqet e stimulit ekonomik ishte pjesë e përpjekjes së tij për ta mbajtur fokusin tek vetvetja.
“Duket se pothuajse çdo ditë presidenti mendon se kjo krizë sillet rreth tij dhe dëshirave të tij, nevojave të tij, armiqve të tij,” tha Senatori Schumer. Pagesat stimuluese u dërgohen tatimpaguesve individualë, të cilët fitojnë deri në 99,000 dollarë në vit, si dhe për çifte, të ardhurat e përbashkëta të të cilëve arrijnë në jo më shumë se 198,000 dollarë në vit. Gjithashtu, për çdo fëmijë do të dërgohet pagesa 500 dollarë.
Top Channel