“BE për shkollat”/ 15 milion euro për të rindërtuar 22 objekte arsimore. Soreca: Shqipëria afër zemrave dhe mendimeve tona

15/04/2020 14:02

U nënshkrua të mërkurën Programi “BE për shkollat” midis Ambasadorit të BE-së në Shqipëri, z. Luigi Soreca, dhe Përfaqësueses së Përhershme të UNDP-së, znj. Limya Eltayeb, për të mbështetur qeverisjen qendrore dhe vendore në përshpejtimin e procesit të rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit, përmes riparimeve dhe rindërtimeve të objekteve arsimore.

15 milion Euro u dhanë nga Bashkimi Evropian për të rindërtuar 22 objekte arsimore të dëmtuara nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019 në Shqipëri, nga i cili do të përfitojnë 7 500 nxënës dhe mësues shkollash.

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, z. Luigi Soreca, u shpreh se: “Ne premtuam ndihmë dhe po e ofrojmë atë shpejt. Shkollat janë mishërimi më i mirë i ringritjes dhe besimit në të ardhmen. Nisja e asistencës së ofruar nga BE pas tërmetit me shkolla të standardit më të lartë ndërkombëtar është veprimi më i mirë për t’u ndërmarrë. Përgjigja e Bashkimit Evropian tregon edhe njëherë se Shqipëria jo vetëm është afër gjeografikisht, por edhe afër zemrave dhe mendimeve tona”.

Top Channel