Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nëpërmjet një deklarate ka bërë me dije se ditën e sotme një i burgosur ka tentuar që të arratiset pasi u ka ikur nga duart policëve që e shoqëronin. Por, arratia e tij ka zgjatur vetëm 200 metra pasi është vënë sërish në pranga.

DEKLARATË PËR SHTYP

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve informon se sot më datë 14.04.2020, rreth orës 12:40, në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Tepelenë, i burgosuri E.S, i datëlindjes 19.07.1987, ka tentuar të arratiset nga vendi i vuajtjes së dënimit.

Shtetasi E.S, është shoqëruar për në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor nga forcat e policisë të IEVP Tepelenë, për të marrë pjesë në seancën e planifikuar datë 14.04.2020 ora 11:30.

Pas përfundimit të seancës gjyqësore, i paraburgosuri është shoqëruar nga forcat e policisë së burgut, për t’u kthyer sërish në institucion.

Gjatë kryerjes së kontrollit trupor, ai i’u ka ikur punonjësve nga duart dhe ka vrapuar rreth 200 metra, duke kaluar edhe rrethimin perimetrik me qëllim arratisjen.

Falë reagimit të menjëhershëm të punonjësve të grupit të sigurisë së IEVP-së Tepelenë, të cilët u vunë në ndjekje direkte, i burgosuri u kap brenda pak minutave duke e kthyer sërish në qeli.

Lidhur me ngjarjen janë njoftuar Policia e Shtetit, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm dhe janë duke vazhduar hetimet për rrethanat e ngjarjes, shkaqet, përgjegjësitë konkrete të punonjësve.

Shtetasi E.S, ka pasur masën e sigurisë “arrest me burg” që nga data 25.09.2019, i dyshuar për veprën penale vrasje të mbetur në tentativë dhe trafikim të lëndëve narkotike.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka nisur hetimet e menjëhershme për të vlerësuar, analizuar dhe hetuar ngjarjen.

Top Channel