Në Angli pandemia coronavirus nuk ka arritur ende pikun, por 20 klubet e Premier League janë të vendosur për të mbyllur sezonin futbollistik dhe po studiojnë për gjetjen e mënyrës më të mirë për ta bërë këtë.
Sipas tabloidit britanik ‘the Sun’, kjo javë pritet të jetë vendimtare për caktimin e një date për rifillimin e kampionatit që me shumë mundësi do të jetë në qershor sigurisht pa praninë e tifozëve në stadium për të reduktuar në minimum rrezikun e përhapjes së Covid-19.
Ndërsa tabloidi tjetër ‘Mirror’ shkoi edhe më tej kur foli për gatishmërinë e Federatës Angleze të Futbollit për të ofruar stadiumin Wembley ku parashikohen të luhen 4 ndeshje në ditë, ndërkohë që sipas Reuters do të vihet në dispozicion të klubeve edhe National Football Center i St.George park që ka 228 dhoma hoteli dhe 13 fusha futbolli për t’u përdorut për stërvitje në kohën e karantinës.
Në Premier League janë 92 ndeshje që duhen zhvilluar dhe presiioni është i madh, jo vetëm nga FIFA, por edhe për faktin se në lojë janë shumë të ardhura që kryesisht vijnë nga të drejtat televizive. Nëse kampionati nuk do të përfundojë, atëherë klubet e Premier league do të duhet të kthejnë 371 milionë Paund televizionit Sky Sports dhe 50 milionë Paund BT Sport, gjë që do të ishte një goditje e fortë për një kampionat të pasur si ai anglez.
Ndërkaq mësohet se disa klube i kanë paralajmëruar futbollistët e tyre për rifillimin e stërvitjes në 11 maj që do të thotë se ata kanë 3 javë kohë për t’u përgatitur përpara fazës finale të kampionatit që nëse coronavirus do ta lejojë do të shohë Liverpoolin kampion të Anglisë, një titull që The Reds u mungon që nga viti 1990.
Top Channel