Bota sportive prej javës është ndalur nga koronavirusi dhe të gjithë protagonistët e saj janë të izoluar në banesat e tyre për të përballur këtë sëmundje që nuk po bën asnjë dallim.
Një prej tyre është edhe ish-trajneri i përfaqësueses shqiptare Gianni De Biasi i cili në një intervistë për Radio Marca tregon se si po e kalon këtë periudhë karantinimi.
“Çdo ditë më duhet të sajoj ndonje gjë të re. Në këtë moment po shkruaj një libër për historinë time me kombëtaren shqiptare të futbollit. Jam duke shkruar kapitullin e tretë të tij. E bëj për të hedhur në letër një eksperiencë që është shumë e qartë në mendjen time. Për më tepër, përpiqem të lexoj, të marr leksione të gjuhës angleze që është e nevojshme për punën”, u shpreh De Biasi.
De Biasi ishte lideri i Kombëtares kuqezi në kualifikimin historik të saj në Evropianin e Francës të vitit 2016 dhe për italianin që tani ka edhe pasaportë shqiptare, ky rezultat me përfaqësuesen ishte një prej arritjeve më të rëndësishme.
“Besoj se kjo ishte arritja më e madhe me një përfaqësuese të vogël. Kaluam kombëtare si Serbia dhe Danimarka në grup për t’u kualifikuar. Besoj se kjo një nga është gjërat më të rëndësishme që kam arritur në futboll”, tha ai.
Më pas ish-trajneri i Kombëtares, pranoi se ishte shumë pranë marrjes së drejtimit të një përfaqësueseje evropiane.
“Përpara se të ndërpriteshin kampionatet kisha mundësi të mirrja drejtimin e një kombëtareje evbropiane dhe shpresoj që kur të dalim nga kjo situatë të firmos me një përfaqësuese.”
Top Channel