Kristjana 15-vjeçare ka nevojë për ndihmë.

Ajo nuk ka shkuar asnjëherë në shkollë, nuk ka shoqe dhe njeh vetëm familjen e saj, por për shkak të gjendjes shëndetësore ajo sot po lufton për jetën. Kristjana është prekur nga skolioza, ndërsa familja e saj është gjunjëzuar pasi nuk ka mundësi të përballojë shpenzimet e operacionit.

Deformimi i rëndë i shtyllës kurrizore çdo ditë shton rrezikun për jetën e Kristjanës ndërsa për familjen e saj shuma prej 25 000 eurosh që duhet të sigurojnë është një barrierë që nuk mund ta kapërcejnë të vetëm.  Që në fëmijëri ajo është diagnostikuar me epilepsi, ndërsa dy vite më parë vuajtjeve të saj iu shtua edhe kjo sëmundje që po avancon shpejt por që për prindërit dhe motrat e saj u kthye më një dramë të rëndë.

Të gatshëm të bëjnë gjithcka për ta shpëtuar ata janë përpjekur të shesin shtëpinë që ende nuk e kanë përfunduar së ndërtuari, të kërkojnë kredi, të marrin hua tek të njohurit e tyre por nuk ia arritën e ndërsa ditët kalojnë për familjen shpresat po zbehen. Adelina, nëna e Kristjanës thuajse nuk e kalon pragun e derës duke u kujdesur për të bijën ndërsa apelon për ndihmë.  Në ditët kur të gjithë po qëndrojnë të izoluar në shtëpi për të mos u prekur nga koronavirusi, mbështetja për jetën e Kristjanës është një thirrje e fortë për të gjithë.

Top Channel