Një lokal që qëndronte i hapur përtej rregullave u bë vatra më e madhe dhe më e rrezikshme e Covid 19 në qytetin e Elbasanit.

Por si ka mundësi që ky lokal qëndronte i hapur kur të gjitha bizneset u mbyllën në kuadrin e një gjendje të jashtëzakonshme për shkak të pandemisë?

Lokali ndodhet shumë pranë gjykatës dhe prokurorisë së Elbasanit. Këtu drekonin gjykatës e prokurorë. Ndoshta ishte kjo arsyeja që e bëri pronarin e lokalit të ndihej I mbrojtur edhe nga Covid 19.

Por si ka rrjedhur e gjithë ngjarja?

Një zotëri, i cili u prek nga djali i tij që kishte qenë në Itali, drekonte në këtë lokal, me një grup shokësh, duke bërë që e gjithë shoqëria të prekej, për pasojë edhe familjet e tyre.

Në rast se nuk do të kishte qenë i hapur ky lokal, në Elbasan sot do kishim dy vatra infeksioni. Të dyja me historik në vendet e prekura, pra të dyja me djem që kishin qenë në Itali, dhe më pas e sollën në familjet e tyre dhe do të kishim gjithsej 5 të prekur. Aktualisht kemi 15 dhe e gjitha kjo për shkak të shkeljes së rregullave.
Kryetari i Bashkisë së Elbasanit mblodhi sot shtabin e emergjencave duke deklaruar se është e papranueshme që rastet u rritën 300% vetëm prej këtij lokali.

Por sikur të mos mjaftonte kjo, sot në mëngjes në lagjen “Aqif Pasha” policia bashkiake zbuloi një tjetër lokal të hapur, ku disa persona po pinin kafen e mëngjesit a thua sikur nuk mund të ndodhte asgjë. Pronari lokalit, jo vetëm u gjobit, por së bashku me klientët e tij janë shoqëruar në polici.

Edhe një herë kjo tregon mungesën e vetëdijes dhe ndërgjegjësimit përballë një situate të rrezikshme ku po kalojmë.”

Top Channel