“Balona Tabake e PD-së “/ Përplasja Rama-Tabaku, reagon Pampuri: Agresivitet i komunikimit të kryeministrit me gratë

10/04/2020 12:03

Pas replikave mes kryeministrit Edi Rama dhe ish-deputetes Jorida Tabaku, ku kjo e fundit ka folur sistematikisht rreth situatës dhe masave ekonomike të ndërmarra në vend si pasojë e pandemisë, çka ka nxitur kundërpërgjigje nga Rama duke e cilësuar “Balona Tabake e PD-së” ka reaguar ish-deputetja Orjola Pampuri.

Në një postim në Facebook, Pampuri shkruan:

“Në ditët më të vështira të krizës që po kalon Shqipëria, Edi Rama është rikthyer tek zakoni i shëmtuar i sulmeve dhe fyerjeve të grave dhe zonjave të politikës, në mungesë të argumentave. Në mënyrë të përsëritur nga facebook dhe mbrëmë në intervistë në një nga emisionet e mbrëmjes kryeministri sulmoi kolegen Jorida Tabaku, e cila pak orë më parë kishte argumentuar qartas pamundësinë e shumë qytetarëve dhe të vetëpunësuarve për të përfituar pagën e premtuar nga qeveria.Ky sulm i përsëritur i kryeministrit ndaj zonjës Tabaku është shembull i qartë i agresivetitit të komunikimit të Edi Ramës me gratë. Kjo sjellje  primitive risjell në vëmendje dhjetëra raste të dhunës verbale dhe psikologjike që Edi Rama ushtron kundër grave, kundërshtare në politikë apo edhe brënda partisë së tij dhe gazetarëve femra apo pjesëtare të shoqërisë civile.

Ky është një turp i vërtetë për Edi Ramën i cili mesa duket e ka të pamundur të shkëputet nga retorika mizogjeniste. Sot i bëj thirrje si grua, të ndalë menjëherë çdo sulm seksist kundër grave në politikë dhe në media dhe të kërkojë publikisht ndjesë për gjuhën e përdorur kundër koleges Tabaku. I bëj thirrje organizatave në mbrojtje të të drejtave të grave të mos heshtin por të reagojnë për këtë sulm banal të kryeministrit ndaj zonjës Tabaku.

Bëj thirrje gjithashtu që të mos heshtin por të reagojnë të gjithë ato organizata dhe institucione shqiptare apo ndërkombëtare që japin apo përdorin fonde kundër diskriminimit dhe gjuhës së urrjetjes ndaj grave, apo për të mbrojtur të drejtat e tyre.

Asgjë nuk e justifikon sjelljen e padenjë të një kryeministri që në kohën më të vështirë për shqiptarët shan dhe fyen me fjalor banal një zonjë, vetëm sepse ai është i paaftë ti përgjigjet argumentave dhe shqetësimeve të drejta për fatin e qytetarëve në këto kohë krize!

Top Channel