Organizata ndërkombëtare bamirëse Oxfam, ka paralajmëruar se gjysmë milardë njerëz në botë mund të përfshihen nga varfëria, për shkak të krizës së koronavirusit.
Organizata kërkon nga udhëheqësit në botë, të krijojnë një paketë gjithëpërfshirëse të shpëtimit, për të parandaluar ndikimin ekonomik të pandemisë.
Në një raport të lëshuar më 9 prill thuhet se “vendet e pasura” kanë dëshmuar se, gjatë krizës ata mund të mobilizojnë triliona dollarë për të mbështetur ekonomitë e tyre.
“Ata duhet të bëjnë të njëjtën gjë edhe për kombet më të varfëra”, vlerëson OXFAM.
Raporti i organizatës bëhet përpara takimeve të javës së ardhshme të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Bankës Botërore, dhe Ministrat e financave të G20 (vendet me ekonomitë më të zhvilluara në botë).
“Varfëria globale mund të rritet për herë të parë që nga viti 1990”, tha OXFAM duke shtuar se një rritje e tillë mund t’i vendosë disa rajone në nivele të varfërisë “të ngjashme me ato të regjistruara për herë të fundit 30 vjet më parë”.
Për të ndihmuar në zbutjen e ndikimeve të dëmshme të pandemisë, e cila ka vrarë gati 89,000 njerëz në të gjithë botën dhe kufizuar lëvizjen e njerëzve në pjesën më të madhe të botës, Oxfam propozoi një plan veprimi që bën thirrje për ndarjen e granteve në të holla për njerëzit dhe bizneset në nevojë, rritjen e ndihmës si dhe anulimin e borxheve.
Top Channel