Kryeministri britanik, Boris Johnson, raportohet se tani qëndron i ulur në krevat dhe bisedon me stafin ndërsa ka hyrë në ditën e pestë të qëndrimit të tij në spitalin Shën Thomas, në Londër.
Ai u shtrua në spital mbrëmjen e të dielës dhe ka kaluar tre netët e fundit në kujdes intensiv pasi simptomat e tij, që u bënë të ditura më shumë se një javë më parë, nuk u zhdukën.
Sipas zyrtarëve, Johnson po i përgjigjet trajtimit për koronavirus dhe është klinikisht në gjendje stabile – tha zëdhënësi i tij. Downing street tha më herët se ai nuk ishte duke punuar, por se mund të kontaktonte me ata që i nevojiteshin.
Numri i viktimave të koronavirusit në Britaninë e Madhe ndërkohë është rritur me një shifër rekord prej 938 personash në një ditë duke e çuar totalin në 7097 gjithsej. Dhe kjo vjen pasi downing street tha një ditë më parë se rishikimi i rregullave të izolimit, që ishte parashikuar të ndodhte, do të shtyhet në kohë dhe se publiku duhet të vazhdojë të respektojë masat në këtë kohë kritike.
Top Channel