Fiton lejen “Covid 19″/ Burgu i Rrogozhinës nuk zbaton VKM, institucionet nuk merren vesh me njëri-tjetrin

09/04/2020 21:02

Institucioni i Ekzekutimit të Veprave Penale Rrogozhinë dhe Komisariati i Policisë Elbasan nuk kanë shkëmbyer shkresat në kohë çka ka bërë që i dënuari Bruno Terihati të cilit i doli emri në listën e Ministrisë së Drejtësisë si përfitues i lejes së posaçme, të humbte mundësinë e përfitimit.

Fiksi solli rastin e Bruno Terihatit,një i dënuar në Burgun e Rrogozhinës , të cilit i kanë mbetur dhe 5 muaj për të kryer dënimin e tij. Nëna e Brunos,Majlinda Kaculi, tregoi për Fiksin se djali i saj ishte përfitues nga  akti normativ i qeverisë ku të burgosurve me vepra penale jo të rënda u jepej leja e posaçme 3 muaj  për shkak të koronavirusit, por institucionet nuk janë marrë vesh me njëri -tjetrin dhe afatet kanë mbaruar duke e lënë në burg të dënuarin.

” Ne i bëmë të gjitha dokumentet siç na i kërkuan, i dorëzuam në burgun Peqin pritëm për ditë me radhë, por djali nuk u lirua, ndaj u detyrova shkova tek komisariati i policisë ,tek ky i fundit m’u tha që ne e kemi çuar shkresën me përgjigje pozitive” tregon znj. Kaculi . Ajo që është më shqetësuese për të është sepse në të njëjtën shkresë që është çuar nga komisariati kanë qenë dhe 6 persona të tjerë, pesë prej të cilëve janë liruar. ” Unë i bëra të gjitha dokumentet se nuk janë marrë vesh institucionet nuk  është faji im, pasi në burg më është thënë s’na ka ardhur shkresa nga komisariati,  këto thonë e kemi çuar, nuk di ku të përplasem më” thotë e përlotur Majlinda.

Fiksi solli dokumentin e lëshuar nga Komisariati Elbasan ku një ndër 7 emrat ishte edhe ai i Bruno Terihatit si përfitues i lejes, një dokument i cili sipas bisedës që shefi i komisariatit ka bërë me znj. Kaculi ka vajtur dhe në IEVP Rrogozhinë.

Fiks Fare kërkoi informacion pranë Drejtorisë së Përgjithshme  të burgjeve, informacion mbi arsyen se përse i dënuari Bruno Terihati nuk ka përfituar lejen e posaçme sipas aktit normativ të qeverisë, edhe pse ndodhet në listën e publikuar tashmë.

Në përgjigjen e tij ky institucion, sqaron se kërkesa për trajtimin e këtij të dënuari me leje të veçantë, është proceduar dhe marrë në shqyrtim nga komisioni përgjegjës i ngritur pranë IEVP Rrogozhinë. Sipas përgjigjes zyrtare anëtarët kanë arritur bindjen se ky i dënuar paraqet  rrezikshmëri shoqërore ose ka pasoja për rendin dhe sigurinë publike duke iu referuar pikës ‘c’ të nenit 5 të këtij akti normativ. Ndërkohë që në total këtij të dënuari i kanë mbetur edhe 5 muaj burg për të shlyernga denimi i dhënë nga gjykata për veprën penale ” prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” dhe ” mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”. Procedura kërkon që ky komision duhet të kishte marrë parasysh edhe mendimin e policisë së shtetit. Komisariati i Policisë Elbasan  në shkresën e tij  drejtuar Burgut Rrogozhinë me nr protokolli 1725, dt 1 prill 2020  shprehet qartë se ka kryer verifikimet për 7 të dënuarit , mes të cilëve edhe zoti Bruno Terihati. Sipas policisë këta të dënuar plotësojnë kriteret për të qendrimin e përkohshëm në shtëpi me leje të posaçme.  Por ajo që të bën përshtypje është se 5 prej të dënuarve të listës që ka konfirmuar Policia e Elbasanit  e kanë përfituar këtë leje, ndërsa Bruno Terihati jo.

Kundër vendimit të komisionit të burgut të Rrogozhinës i dënuari ka dorëzuar ankimim dhe sipas nenit 7 të aktit normativ të qeverisë, brenda 3 ditëve pritet që në Ministrinë e Drejtësisë të mblidhet komisioni i posaçëm që do të shqyrtojë edhe një herë çështjen e përfitimit të lejes së të dënuarit Bruno Terihati, i cili ishte i 362-i në listën e dalë nga po kjo ministri.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel