Policët kolumbianë shkojnë në lagjet e Bogotas, dhe japin leksione zumba për të inkurajuar dhe argëtuar banorët e bllokuar në shtëpitë e tyre për shkak të frikës nga koronavirusi.
Mësimet e zumbas, janë pjesë e fushatës Jemi një, jemi bashkë – të policisë kombëtare kolumbiane, që synon të sjellë momente gëzimi për banorët në lagjet e ndryshme të kryeqytetit Bogota, gjatë karantinës. Policët, kryejnë aktivitete që stimulojnë shëndetin mendor, atë fizik, tolerancën brenda shtëpive dhe mbi të gjitha, rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e qëndrimit në shtëpi, për të penguar përhapjen e koronavirusit.
Mësimet e zumbas jepen tre herë në ditë dhe qytetarët ndërveprojnë me instruktorët e policisë, bëjnë aktivitete për të forcuar dashurinë për vendin, njerëzit vendosin flamujt kombëtarë në ballkone, vizatojnë pankarta në të cilat kërkohet qëndrimi në shtëpi. Sipas policisë kolumbiane, kjo nismë synon të hapë një mesazh shprese dhe uniteti në këtë periudhë të vështirë.
Presidenti kolumbian ka shtyrë izolimin e detyrueshëm deri më 27 prill, në një përpjekje për të evituar infektime të mëhershme dhe për të përgatitur sistemin e shëndetësisë për kulmin e sëmundjes. Koronavirusi ka shkaktuar në Kolumbi 55 viktima dhe 2054 janë infektuar.
Top Channel