Kohë pandemie/ “Adopto një gjysh e një gjyshe”, nisma më e re e ndërmarrë nga të rinjtë

08/04/2020 16:12

Glindxhet Madhi, është një nga vullnetarët që mori pjesë në nismën “Adopto një gjysh e një gjyshe”. Ai u shpreh se gjithçka nisi nga thirrja e bërë prej kryetarit të Bashkisë të Tiranës, Erion Velia. Ne, thotë Glindxheti, veç personave që kanë nevojë për ndihma, ndihmojmë edhe personat që i kanë mundësitë financiare për të blerë ushqime, por për shkak të situatës nuk mundem. Tashmë kjo nuk është një nismë, thotë ai për “Shqipëria Live”, por një koncept pasi i janë bashkuar edhe shumë persona të tjerë.

Po ashtu, një nismë e tillë është ndërmarrë dhe në qytetin e Shkodrës. Mirsid Basha, një nga vullnetarët e nismës, u shpreh se kanë që nga data 20 mars që ndodhen në terren dhe i janë vendosur në ndihmë të moshave të treta. Përveç se u blejmë ushqime, u dhurojmë dhe pako me ndihma, personave që kanë nevojë, tha ai.

“Situata është më e vështirë. Ne kemi bërë thirrje që prej datën 20 mars dhe nga 20 mars ne i jemi gjendur pranë të moshuarve. Ne përveç se u blejmë ushqime që ato kërkojnë, edhe u dhurojmë. Dikush ka nevojë për ilaçe dhe ushqime, por ne ushqime kemi dhuruar. Pra kemi menduar që jo vetëm të bëjmë rolin e nipit apo të mbesës, por edhe të dhuruojmë. Janë edhe gjyshër të tjerë që na kërkojnë që t’i blemë ushqimet e tyre. Në ditë janë 15 apo 20 gjyshër, që ne i trokasim në banesat e tyre”, tha Mirsidi.

Sakaq, Egi, një e re e cila jeton në kryeqytet, ka zgjedhur që të gatuajë për gjyshërit. Me kërkesë të tyre, ajo sot po i përgatiste një çifti të moshuar gjellë me bizele. Gjyshërit na kanë rritur, thotë Egi, kjo që ne po bëjmë për ta sot është gjëja më e pakët.

“Në momentin që dëgjuam nismën e kryetarit të Bashkisë të Tiranës u angazhuam. Ne u gatuajmë drekën, u bëjmë pazaret, u blejmë ilaçet. Unë kam pasur një histori me gjyshërit e mi, pasi gjyshja nga ana e mamit është një kritike shumë e mirë e ushqimit. Ndërsa tek të moshuarit që ne ndihmojmë një herë mora kritikë, pasi i kisha hedhur pak më shumë kripë se zakonisht. Ne çfarë hamë vetë, i dhurojmë edhe atyre. Sot ka qenë dita që ato na kanë kërkuar bizele, gjyshërit na kanë dhënë mundësinë të hamë më shëndetshëm. Gjyshërit janë ata që na kanë rritur. Kjo që po bëjmë ne sot për ta është më e pakta”, u shpreh Egi.

Top Channel