Top Talk: Qeveria  t’u japë sipërmarrjeve vendase fondet e prokuroruara për veshjet e ushtrisë e policisë

06/04/2020 20:28

Në studion e emisionit “Top Talk” të drejtuar nga gazetari Denis Dyrnjaja, ishin të ftuar me anë të lidhjeve “Skype”, përfaqësuesja e kompanisë “Doniana” Donika Mici dhe administratori i kompanisë “Kital SH.P.K” Skënder Pashai.

Sipërmarrjet e fuqishme prodhuese, janë prekur jo pak nga kjo situatë kaotike e krijuar si pasojë e koronavirusit. Dy sipërmarrësit gjatë fjalës së tyre, kërkuan hapur ndihmën e qeverisë për të dalë nga ky moment krize. Mirëpo, Donika Mici, ka një mesazh dhe kërkesë për qeverinë, që sipas saj kjo mund të ishte një zgjidhje e mirë.

Denis Dyrnjaja: Mbetemi në kushtet e karantinës së fortë, sikurse jemi në këto çaste dhe nuk rikthehemi dalë ngadalë në normalitet. Sa do të mund të mbijetoni juve në kushtet që jeni, për të mbajtur edhe punonjësit që keni, thatë 1600 punonjës.

Donika Mici: Ne nuk mund të mbijetojmë dot më shumë se kaq sa kemi mbijetuar dhe kjo është një e vërtetë e madhe. Ajo çfarë ne na duhet është që Evropa të ndryshojë, Evropa të fillojë dhe të vendosen në lëvizje dyqanet. Ne varemi nga ata. Puna jonë varet nga ata.  Unë sot lexova një letër që kishte dërguar ministri Ahmetaj, ku shprehej që po punonte me qeveritë e shteteve të Evropës, për të bërë prodhime si maska, ata që duhen sot më emergjente, jo këpucë për mjekësinë.

Denis Dyrnjaja: I kemi ne mundësitë të prodhojmë të tilla produkte.

Donika Mici: Të gjitha konfeksionet i kanë këto mundësi për të prodhuar këto produkte, por këpuca është specifike dhe s’ka asnjë shans që të hy në këtë ndihmë, që do t’i japë qeveria bizneseve. Por qeveria ka një rrugë shumë të thjesht për t’i dhënë të gjithë prodhimin e këpucëve të policisë dhe ushtrisë këtyre fabrikave. Domethënë veshjet dhe çfarë ka në buxhetin e shtetit të planifikuar, qeveria shqiptare të mos ja japi një personi ose një tregtari. Por t’ia japi këtyre prodhuesve që të mbajë në këmbë biznesin e tyre dhe të mos i kërkojnë lëmosh qeverisë.

Top Channel