Pandemia/ Lleshaj flet qartë: Kush është rezident nuk do lejohet të vijë në Shqipëri

06/04/2020 13:13

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj zhvilloi një inspektim në qytet rreth zbatimit të masave për parandalimin e COVID-19, së bashku me Prefektin e Qarkut dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

‘Në Shkodër sot po inspektojmë masat e marra në zbatim të vendimeve për parandalimin ose frenimin e perhapjes së virusit corona.

Shohim se masat e mara janë relativisht të mira, megjithatë ka hapësirë për ndërhyrje të forta sidomos në Shkodër në drejtim të forcimit të masave të ruajtjes së qytetarëve nga përhapja e coronavirusit.

Pikat më të dobëta që konstatoj janë tregjet e hapura, tregjet ushqimore, të cilat nuk janë të disiplinuara dhe nuk respektojnë ato parametra minimale që duhen respektuar për mbrojtjen e qytetarëve.
Tregje ku shitet jashtë çdo kriteri, ku shitet në rrugë, ku ka shitës më shumë se blerësa, dhe ku masat e aplikuara janë të pamjaftueshme.

Për këtë arsye kam dhënë detyra për Prefektin dhe Drejtorin Përkatës të Policisë në Shkodër, që duke filluar nga nesër, masat në këtë drejtim, të forcohen në maksimumin e tyre.

Tregjet informale do të pushojnë së funksionuari, për arsye se janë vatra infektimi dhe vatra të përhapjes së të keqes. Ndërsa për sa u përket tregjeve të formalizuara, tregjeve të licencuara, duhet që atje të forcohen masat e sigurisë.

Hyrjet dhe daljet duhet të jenë të ndara, pra tregjet duhet të kenë një hyrje prej nga hyhet dhe një dalje ku dilet dhe jo një hyrje dhe dalje të përbashkët.

E dyta numri i vizitorëve në tregje, ose i klientëve në tregje duhet të jetë i kufizuar, dhe Policia duke mbajtur në kontroll hyrjet dhe daljet e tregjeve, do të ndalojë ose parandalojë, mbingarkimin e tregjeve nga klientë të shumë.

Kështu që do të thotë hyjnë dhjetë, dalin dhjetë. Ndërkohë që për të gjitha njësitë e tjera të shërbimeve, kryesisht banka, posta dhe njësi të tjera, duke filluar nga nesër, do të jenë të detyruara që të kufizojnë hyrjet, duke vendosur një sistem radhe me distanca rigoroze, të cilat do të kontrollohen nga Policia e Shtetit.

Pra, nuk mund të lejohet grumbullim njerëzish nëpër hyrje të insitucioneve të shërbimit. Por duhet që njerëzit të vendosen në radhë rigorozisht të përcaktuara, të shenjuara në dysheme, në mënyrë që të parandalojmë më çdo kusht përhapjen e virusit, i cili në Shkodër ka njohur një ritëm krejtësisht të papranueshëm dhe mund të na rrezikojë përpjekjet gjigante, që janë bërë në të gjithë Shqipërinë për mbrojtjen e qytetarëve.

Prefekti i Qarkut sot do të zhvillojë një mbledhje urgjente të Komitetit të Emergjencës Civile për të diskutuar këto prioritete, për të ngarkuar me përgjegjësi dhe për të dhënë detyra për autoritetet përkatëse. Qofshin ato autoritetet e Bashkisë, qofshin ato autoritetet e kontrollit të ushqimit, e kontrollit shëndetësor, me qëllim që të gjithë aktorët të punojnë në kuadër të një përpjekjeje të përbashkët për të bërë maksimumin që në Shkodër të aplikohen standardet më të larta të sigurisë dhe jo më të ulëtat, siç duket aktualisht’, tha Lleshaj.

Prononcimi për median lokale:

Jeni në dijeni të gjithë që në Shkodër kemi patur një ecuri negative ditët e fundit, e cila lidhet kryesisht me mungesën e përgjegjshmërisë. Dhe kam ardhur për të parë këto masa. Konstatoj që masat janë të pjesshme.

Shoh që në disa segmente, sidomos në tregjet e hapura ka probleme të mëdha. Kemi tregje që kanë më shumë shitës sesa blerës dhe ku nuk respektohen parametrat minimalë të mbrojtjes.

Dua t’iu bëj një thirrje qytetarëve të Shkodrës që të kenë kujdesin dhe përgjegjshmërinë maksimale për jetën e tyre dhe jetën e të tjerëve. Kam folur me shumë njerëz gjatë rrugës sot që thonë, s’e vemë maskën, sepse s’e praktikoj këtë punë.
Por maska nuk është për mbrojtjen e vetes, është maskë për mbrojtjen edhe të të tjerëve. Edhe ata që për veten nuk kanë ndonjë kujdes të veçantë, duhet të kenë kujdes për të tjerët.

Ne do t’i thellojmë masat e sigurisë në Shkodër. Policia e Shkodrës vepron dhe do të veprojë atëherë dhe në atë mënyrë që kërkohet të veprojë një polici e një vendi normal, e cila duhet të veprojë në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët, edhe me median. Edhe juve ju ftoj që të kontribuoni maksimalisht për përhapjen e disa mesazheve të thjeshta:
– të rrimë larg njëri-tjetrit, të përdorim masa mbrojtëse, ato që kemi mundësi t’i përdorim, qoftë edhe duke vendosur një shami përpara gojës dhe përpara hundëve;
– të evitojmë grumbullimet. Nuk është koha për të bërë ceremoni, nuk është koha pë të respektuar edhe të vdekurit ashtu siç e meritojnë. Nuk është koha për të respektuar as gëzimet ashtu siç e meritojnë. Jemi në një kohë anormale, jemi në një kohë të jashtëzakonshme.

Mesazhi im për të gjithë ju dhe qytetarët e Shkodrës është që të bëjmë maksimumin për ta frenuar dhe për ta kapërcyer këtë situatë. Jemi në një fazë kritike, jemi në momentin që duhet të bëjmë maksimumin. Dhe maksimumi është që kush nuk ka punë, të rrijë në shtëpi. Shkurt dhe saktë – të rrijë në shtëpi! Kush del nga shtëpia, të shkojë vetëm deri te dyqani më i afët për të kryer nevojën e tij urgjente dhe për t’u kthyer në shtëpi.

Nuk kemi kohë për të bërë as vizita, as muhabete, as ceremonira, asgjë që lidhet me të zakonshmen tonë.

A do lejohen të hyjnë shqiptarët në kufi?

Ka shumë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Por në kushtet e masave të jashtëzakonshme sot ne ju bëjmë thirrjen e kundërt, në qoftë se normalisht i thërrasim të gjithë shqiptarët të vijnë në Shqipëri të vizitojnë, sot i ftojmë të mos vijnë në Shqipëri të mos ta vizitojnë sepse i bëjnë dëm vetes dhe familjeve të tyre.

Kështu që kjo mbetet e qartë për të gjithë qytetarët, ata që janë rezident në vendet e tjera nuk janë të lejuar për të ardhur në Shqipëri gjatë këtyre ditëve. Ashtu sikundër nuk lejohet asnjë shkodran që të shkojë në Tiranë, apo i tiranës të shkojë në Korçë e kështu me rrallë.

Jemi në kushte të jashtëzakonshme duhet të sillemi në mënyrë të jashtëzakonshme, duhet të stakojmë të gjithë forcat, energjitë, mendjen për ta përballuar këtë situatë.

Top Channel