Në studion emisionin “Shqipëria Live”, drejtuar nga dyshja e moderatorëve Flori Gjini dhe Erjona Rusi, ishte e ftuar me anë të një lidhjeje në “Skype” rrobaqepësja nga Shkodra, Adriana.

Rrobaqepësja shprehet se që kur filloi të përhapet pandemia, ka vendosur të qepë maska mbrojtëse për qytetarët, por edhe institucionet. Adriana, tha se e ka të vështirë që të sigurojë materiale, pasi në ditë i duhen rreth 20 metra copë për të punuar.

“Bëj 150 maska në ditë”, thotë ajo, “dhe të gjitha i dhuroj”. Më tej, rrobaqepsja tha se maskat i ka dërguar në “Shtëpinë e të Moshuarve” në Shkodër, si edhe ka ndihmuar policinë e Beratit dhe Shkodrës. Edhe pse e gjithë kosto mbulohet nga ajo vetë, Adriana thotë që ka mbështetjen maksimale të familjes për këtë nismë.

“Mendova që të ndihmoj në këtë situatë me aq mundësi që kam. Unë punoj punime artizanale por punishten e vogël që kam e kam kthyer për këtë punë. Kam vështirësi për material, tashmë nuk ka më kanë mbaruar. Mua të paktën 20 metra në ditë më duhet për prodhim. Unë pesë ditët e fundit kam punuar 150 maskë në ditë. Kam dërguar dhe tek shtëpia e të moshuarve 30 copë këtë javë do të kompletoj të gjithë stafin. I kam dërguar dhe në Berat, tek policia e Beratit  100 copë. Në Berat sepse Berati është qyteti i paqes. Unë kam pasur shumë kërkesa atje dhe Kujtim Imani është ai që më ka dhënë zemrën për të punuar. Më ka thënë dhe Bashkia, se përse na ke dërguar dhe ne dhe do të mundohem që t’i bëj për të gjitha. Kur kam mundësi i jap nga dy copë. Të gjitha këto e bëj me paratë e mia. Po më kanë ndihmuar të gjithë, ata e dinë se kur e marr një punë përsipër e çoj deri në fund”, u shpreh Adriana.

Top Channel