Të shtunën paradite, por edhe më herët bashkë me daljen e diellit, shumë njerëzit dolën rrugëve në turma.
Pikërisht në këto ditë Shqipëria regjistroi edhe numrin më të lartë të të prekurve në 24 orë. Policia raporton gjoba dhe masa ndëshkimore, por a janë ato mjaftueshëm, ndërsa nën sytë e policëve njerëzit në qytetet e mëdha dalin turma turma duke u bërë lëndë e parë për virusin vrasës që deri më sot ka vrarë 20 persona.
Masat e karantinës po dobësohen dhe njerëzit duke parë edhe ngadalësinë e policisë nuk po respektojnë distancimin fizik. Ndërkohë që ka më shumë raste me koronavirus, pikëpyetjet për rolin e policisë po shtohen.
Çështja është nëse mjekët po bëjnë gjithçka për të ndalur virusin a po bën policia çdo gjë për ta parandaluar? A po na mbron policia ne nga njëri tjetri, a po na mbron nga njerëzit që thyejnë karantinën, nga ata që hapin lokale lagjesh për kafe e raki, a po na mbron nga shëtitjet e panevojshme dhe furia e makinave që lëvizin pa shkak si në ditë normale?
Duke parë pamjet e djeshme në Top Channel kur gazetarët kapnin në flagrancë disa qytetarë që ishin duke ecur jashtë orareve të lejuara dhe se si u soll policia në këto raste të krijohet përshtypja se policia ka dalë vetë shëtitje.
Pak gjoba, pak ndalime, vetëm një këshillim miqësor. Duke përdorur fjalorin e luftës kjo sjellje e policisë është njëlloj sikur të këshillosh tradhtarin të mos bashkohet me armikun.
Çështja është pse sillet në këtë mënyrë policia dhe pse nuk kërkon respektimin pa kushte të masave?
Është e udhëzuar të shëtisë nëpër rrugë pa bërë asgjë apo është inkopetente dhe e paaftë të na mbrojë nga ky rrezik që nuk ka makinë, nuk ka fytyrë nuk ka shtëpi dhe nuk ka emër.
Ka ardhur dita që policia të kuptojë se armiku jemi ne dhe duhet të na ndëshkojë pa asnjë hezitim cilindo prej nesh. Nëse kjo nuk është policia që duam është e sigurt që kjo është policia që do koronavirusi.
Top Channel