Rama sqaron pezullimin e qirave/ 3 kategoritë që përfitojnë. Nuk falen, por shtyhen pas lufte. PD del kundër

03/04/2020 01:51

Kryeministri Rama njoftoi në mbrëmje detajet e aktit normativ që njoftoi gjatë ditës për ndalimin menjëherë e qirave që solli shumë reagime gjatë së enjtes, si nga individëve që preken, por edhe të Partise Demokratike. Rama tha se qiratë nuk do të falen, por do të shlyhen pasi të mbarojë lufta me koronavirusin dhe kjo sipas tij është qëllimi i aktit normativ për të rregulluar marrëdhënien e individëve dhe bizneseve, apo individë-individë.

Kryeministri tha se nga ky akt do të përfitojnë tre kategori, përkatësisht: Të gjithë qiramarrësit individë, të cilët kanë kontratë qiraje përpara shpalljes së gjendjes së epidemisë dhe që kanë një kontratë pune, por e kanë pezulluar apo zgjidhur si pasojë e gjendjes së shkaktuar nga COVID-19, qiramrrësit studentët që janë larguar në rrethe dhe të gjithë sipërmarrësit me të ardhura deri në 140 mijë dollarë në vit.

Kryeministri theksoi se qiraja nuk do të paguhet për dy muaj, prill dhe maj, por detyrimet e prapambetura do të paguhen më vonë, në mënyrë proporcionale, sipas një dakordësimi mes qiramarrësit dhe qiradhënësit pas muajit maj. Sipas Ramës, të gjithë qiramarrësit individë, të cilët kanë kontratë qiraje, për banesë, përpara shpalljes së gjendjes së epidemisë dhe që kanë një kontratë pune por e kanë pezulluar apo zgjidhur si pasojë e gjendjes së shkaktuar nga COVID-19, nuk do ta paguajnë qiranë për 2 muaj, prill, maj 2020.

Po ashtu edhe studentët që janë larguar në rrethe. Po kështu të gjithë sipërmarrësit me të ardhura deri në 140 mijë dollarë në vit, nuk do ta paguajnë qiranë për dy muaj. Të gjithë qiramarrësit e përcaktuar në këtë pikë që kanë ankesa në lidhje me qiradhënësin do të drejtohen tek drejtoria e tatimeve dhe qiramarrësi do të ndëshkohet me gjobë, shpjegoi kryeministri”.

Ndërkohë Partia Demokratike reagoi kundër këtij akti normativ të qeverisë duke thënë se fatkeqësisht kryeministri është në betejë me shqiptarët. Në deklaratë thuhet se nisma e tij për të ndaluar pagesën e qirasë nga qiramarrësit e bizneseve të mbyllura është një vepër e turpshme që mëton të ndajë shqiptarët. Ky është një vendim antikushtetues, i padrejtë dhe i rrezikshëm thuhet në deklaratën e PD.

Më tej theksohet se njeriu që nuk pranon të anullojë kontratat konçesionare ku palë është qeveria, por shpall anullimin e kontratave ku palë janë subjekte private, është fytyra e vërtetë e kësaj qeverie. Për të mbrojtur oligarkët, për të mbrojtur paratë e vjedhura, Edi Rama ka braktisur qytetarët dhe bizneset dhe tani po mundohet që t’i përplasë ata me njëri-tjetrin.

“Në Shqipërinë e varfëruar, shumë qytetarë jetojnë me qiratë që marrin, një pjesë tjetër paguajnë shpenzimet e tyre me qiratë dhe një grup tjetër paguajnë këstet e kredive me to. Mospagesat e qirasë do të ulin jo vetëm të ardhurat për qiradhënësit, por gjithnjë e më shumë shqiptarë nuk do të kenë aftësi paguese”, thote PD. Sipas selisë blu, ekonomia në vend do të goditet akoma më keq në zinxhirin e konsumit.

Dhe kjo vetëm do të shtojë varfërinë dhe numrin e të varfërve. Në deklaratën e PD thuhet se mes shqiptarëve dhe oligarkëve Edi Rama ka zgjedhur këta të fundit, edhe në kushtet e tmerrshme në të cilën ndodhet vendi sot.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA