Në emisionin “Shqipëria Live”, drejtuar nga dyshja e moderatorëve Erjona Rusi dhe Flori Gjini, ishin të ftuar me anë të një lidhjeje në “Skype”, gazetarja Rezarta Delisula dhe punonjësja e administratës Brunilda Paskali.
Të dyja të ftuarat bënë thirrje që njerëzit të solidarizohen dhe të dhurojnë gjak, pasi për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi ka mungesë gjaku, për personat që kanë nevojë për të. Fëmijët talasemikë, kanë nevojë emergjente për gjak, thonë të ftuarat, por edhe personat që vuajnë nga sëmundje të tjera, si mund të jenë ato kanceroze. Nevoja për gjak nuk është një emergjencë vetëm për vendin tonë, thotë Brunilda, por edhe Italia dhe Shtetet e Bashkuara, shpesh i bëjnë thirrje qytetarëve që të dhurojnë gjak.
“Duhet të flasim për mungesën e diçkaje që ne si qënie njerëzore mund ta japim, të gjakut. Ne kemi fëmijë talasemikë, të cilët nëse nuk marrin gjak kanë probleme shëndetësore. Ne kemi persona me sëmundje kanceroze, që kanë nevojë për gjak. Por edhe aksidentet, që fatmirësisht tani janë më të pakta. Sidomos fëmijët talasemikë janë më të rrezikuar në këtë situatë. Italia ka probleme me dhurimin e gjakut. Amerika, i bën thirrje të vazhdueshme qytetarëve amerikanë që të dhurojnë gjak. Realisht siguria pranë qendrës kombëtare për mbledhjen e gjakut dhe bankave të gjakut është shumë e sigurt. Nuk ka persona të tjerë brenda, janë vetëm mjekët që kryejnë procedura. Praktikisht kjo është një gjë e sigurt. Presidenti i Republikës ndjek me interes dhurimin e gjakut. Nga data nëntë mars dhe deri më sot, nga ndihma e dhënë nga Presidenca, janë bërë deri më tani 14 fushata dhurimi të gjakut. Është vërtetë kënaqësi dhe falenderim për këta njerëz që vijnë aty, në këtë situatë. Gjaku nuk mund të ruhet më shumë se 42 ditë dhe pas këtij afati nuk ka më vlerë”, u shpreh Brunilda Paskali.
Nga ana tjetër, gazetarja Rezarta Delisula, shpjegoi se çfarë mjafton për të dhuruar gjak. Mjafton të mos jesh anemike apo të vuash nga hipertensioni, thotë Rezarta, ndërsa kategoritë e tjera mund të jenë dhurues.
“Nuk ka asgjë që të shkosh atje, mjafton që të mos jesh anemike, dhe nuk duhet asnjë lloj testi tjetër. Më ka bërë përshtypje për gjithë këta vite që unë jap gjak, mjekët të marrin gjak kur një person është i shëndoshë dhe ndihet shumë mirë me veten. Që pas publikimit të fototve të mia duke dhuruar gjak ka pasur shumë njerëz dhe kanë ndihmuar”, u shpreh Rezarta.
Top Channel