Qeveria e Pajtimit Kombëtar (GNA) në Libi, e njohur nga Kombet e Bashkuara (OKB), ka njoftuar se ka vazhduar me operacionin “Burkan Al-Ghadab” kundër kryekomandantit renegat Khalifa Haftar, raporton Anadolu Agency (AA).
Një burim zyrtar për AA tha se janë rrëzuar 3 avionë luftarakë që u përkisnin milicive të Haftarit, ndërsa disa automjete ushtarake dhe depo të municioneve janë shkatërruar që nga fillimi i operacionit.
Më 27 mars, GNA filloi operacionin “Burkan Al-Ghadab” si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të vazhdueshme të milicive të Haftarit.
Në kuadër të operacionit, forcat e GNA-së kanë shënjestruar depot e municioneve dhe automjetet ushtarake të milicive në qytetin Sirte, në pjesën verilindore të Libisë.
Aeroporti ndërkombëtar Mitiga ka qenë shënjestër e rregullt e forcave të Haftarit, të cilët gjithashtu kanë shkelur armëpushimin humanitar të vendosur më 21 mars për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Që nga rrëzimi i sundimtarit të ndjerë Muammar Gaddafi në vitin 2011, në Libi u shfaqën dy qeveri, ajo e kryekomandantit Haftar në lindje të Libisë, i mbështetur nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe GNA në Tripoli, e cila gëzon njohjen e OKB-së dhe asaj ndërkombëtare.
Qeveria legjitime e Libisë është sulmuar nga forcat e Haftar-it që nga prilli i kaluar dhe mbi 1.000 persona janë vrarë në dhunë.
Përpjekjet ndërkombëtare për të zbatuar armëpushimin javëve të fundit ishin të pasuksesshme për shkak të shkeljeve të vazhdueshme nga forcat e Haftar-it.
Top Channel