HRW i bën thirrje Turqisë të lirojë edhe të burgosurit politikë si masë kundër pandemisë

03/04/2020 14:15

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch, i bëri thirrje qeverisë së Turqisë, që në projektligjin e saj për të liruar dhjetëra mijëra të burgosur, si masë sigurie kundër shpërthimit të koronavirusit, të përfshijë edhe të burgosurit politikë.

Partia qeverisëse për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) paraqiti një projektligj në parlamentin turk, për të liruar 90,000 të burgosur nga burgjet e mbipopulluara të vendit për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

Projektligji ka të bëjë me disa kategori të burgosurish, mes tyre gratë shtatzëna dhe të moshuarit me shëndet jo të mirë, raporton AFP.

Por, masa nuk do të vlejë për vrasësit, dhunuesit seksual dhe kriminelët e narkotikëve, si dhe të burgosurit politikë, të akuzuar sipas ligjeve kontroverse të Turqisë kundër terrorizmit.

“Kur merrni masa për të mbrojtur të burgosurit nga virusi COVID-19, ata që janë në rrezik më të madh nuk duhet të lihen jashtë vëmendjes”, tha Hugh Williamson, drejtor i Evropës dhe Azisë Qendrore në Human Rights Watch.

Parlamenti i vendit është planifikuar të votojë për projektligjin javën e ardhshme.

Turqia nisi një goditje të gjerë, pas një përpjekje të dështuar për grusht shteti në vitin 2016. Me dhjetëra mijëra persona u burgosën për lidhje me militantët e jashtëligjshëm kurdë, ose lëvizjen e udhëhequr nga predikuesi mysliman me qendër në SHBA, Fethullah Gulen.

Qeveria fajëson Gulenin për orkestrimin e grusht shtetit- një pretendim që ai e ka mohuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA