Shtetrrethim! Gjobiten këmbësorë e shoferë gjatë 24 orëve të fundit, njëri prej tyre në gjendje të dehur

02/04/2020 13:14

Vijojnë kontrollet në të gjithë territorin, në zbatim të masave kufizuese të shpallura nga qeveria shqiptare, për vënien në kontroll të pasojave që sjellin përhapjen e COVID-19.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë evidentuar 10 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020 ”Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19″.

Ndërkohë, në Elbasan janë arrestuar 2 shtetas, konkretisht: M. H., 62 vjeç, banues në Pogradec, i cili kishte autorizim për lëvizje, por është konstatuar duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 1.04 mg/l, si dhe E. B., 31 vjeç, banues në Përrenjas, i cili nuk kishte autorizim për lëvizje dhe është konstatuar duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 1.38 mg/l. Këtij shtetasi iu pezullua leja e drejtimit për 3 vjet.

Në të gjithë vendin, gjatë 24 orëve të fundit, nga strukturat e Policisë janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 45 shtetas, të cilët u konstatuan nga shërbimet e Policisë duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë.

Në të gjithë vendin janë konstatuar 2 njësi tregtie që nuk kanë zbatuar orarin e mbylljes dhe ndaj administratorëve është marrë masa administrative, në bazë të nenit 3, pika 7 e Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020.

Në të gjithë vendin, nga shërbimet e Policisë kanë vijuar kontrollet në banesat e shtetasve të vetëkarantinuar, të cilët janë kthyer nga vendet e prekura.

Policia apelon për qytetarët se nuk do të lejohet asnjë këmbësor të dalë për shëtitje, aktivitet sportiv apo për motive të tjera, përveç emergjencave mjekësore dhe atyre që shkojnë në punë, të cilët duhet të kenë me vete kartën e identitetit dhe vërtetimin e punës nga punëdhënësi.

Për të bërë pazar në qendrat urbane, një pjesëtar i familjes duhet të aplikojë në e-Albania apo në numrin falas 55155, për t’u pajisur me autorizim, ndërsa pensionistët nuk lejohen në mënyrë kategorike të dalin nga banesa.

Shërbimet e Policisë, nëse do konstatojnë këmbësorë me mungesë të email-it apo mesazhit konfirmues nga e-Albania, do të aplikojnë gjobat ndaj tyre.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë masat kufizuese, për të bërë të mundur parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA