Belgjika bëhet i pari vend evropian që e mbyll përpara kohe kampionatin për shkak të coronavirusit.
Sipas medias belge, drejtuesit e Ligës së Futbollit në vend e kanë marrë tashmë vendimin për të mos i vazhduar më aktivitetet futbollistike që do të thotë se skuadra kampione do të jetë Club Brugge.
Në momentin e ndërprerjes së kampionatit, Club Brugge ishte në krye të klasifikimit dhe kjo e bën atë kampion të vendit. media në Belgjikë thekson gjithashtu se Liga e Futbollit do të krijojë edhe një grup pune për të përcaktuar skuadrat që do të kualifikohen në kompeticionet evropiane. Tani ajo që pritet është ratifikimi i këtij vendimi nga ana e Federatës Belge të Futbollit, gjë që ka shumë gjasa që të ndodhë
Po kështu Liga Belge do të krijojë edhe një grup të dytë pune për të përcaktuar skuadrat që do të bien nga kategoria dhe ato që do të ngjiten.
Titulli në Ligen Belge vendoset pas një faze playoffi ku marrin pjesë 6 skuadrat më të mirë, një fazë kjo që padyshim është pezulluar. Në këtë moment, renditja shihte Brugge në vendin e parë me 70 pikë, i ndjekur nga Gent me 55 dhe Royal Amberees me 53. Më pas vijnë Charleroi, Standard Liege dhe Mechelen.
Pritet që i njëjti vendim të merret edhe në kampionatin holandez pasi kapitenët e 8 klubeve më të rëndësishme në Eredivisie kanë kërkuar mbylljen e sezonit kur në këtë kampionat kanë mbetur edhe 8 javë deri në përfundim të tij.
Top Channel