Barcelona vijon të këmbëngulë për të transferuar sulmuesin argjentinas Lautaro Martinez, për të cilin Interi kërkon plot 111 milionë euro, ashtu siç është parashikuar edhe në klauzolën e prishjes së kontratës mes palëve.
Megjithatë duke parë situatën e krijuar edhe për shkak të koronavirusit, klubi katalan po ngulmon të ulë sa më shumë shifrën, duke ofruar në këmbim edhe të paktën dy futbollistë, nga një listë me emra ku përfshihen Alena, Semedo, Vidal, Rakitic e Todibo.
Por duket se asnjë prej tyre nuk “josh” më klubin zikaltër, që ka kaluar në kundërsulm dhe ka kërkuar në këmbim të Lautaros, mesfushorin 24-vjeçar brazilian, Arthur Melo, kartoni i të cilit vlerësohet rreth 70 milionë euro.
Arthur u mor për të zëvendësuar legjendën katalane Xavi dhe ndonëse ka shfaqur probleme të vazhdueshme fizike, askush nuk ka dyshime mbi talentin e tij, ndaj edhe te Barcelona nuk kanë dëshirë ta lënë t’u ikë nga duart.
Nga ana tjetër, Conte e Marotta kanë identifikuar te braziliani njeriun e duhur që do të ndihmojë skuadrën për të kontrolluar sa më shumë topin dhe për të dalë shpejt nga presingu, duke qenë se pikërisht qarkullimi i saktë i topit është edhe arma më e fortë e Arthur.
Top Channel