Shumë prej atyre gjyqtarëve që janë shkarkuar nga vettingu për mosjustifikim pasurie, apo lidhje me krimin shpresojnë në një vendim pro tyre nga Gjykata e Strasburgut. Janë shumë prokurorë e gjyqtarë që i janë drejtuar Gjykatës së të Drejtave të Njeriut për të fituar atë që kanë humbur.
Por, faktet dhe provat në shumë raste janë kokëforta. Kjo ka bërë që Prokuroria Speciale, e njohur ndryshe SPAK të mos rrijë duarkryq. Pavarësisht ngarkesës që ata kanë me shumë dosje, që kanë mbetur pa u hetuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda në rend dite janë shumë çështje të tjera dhe dosje që pritet të nisin nga hetimet.
Burime të SPAK thanë për gazetën SHQIP se në një dosje të veçantë dhe me shumë emra janë hetimet për gjyqtarët e shkarkuar nga vettingu. Madje, tre të parët janë tashmë të identifikuar si pjesë e hetimeve. Ata janë gjyqtarë të shkarkuar nga të dy shkallët e vettingut.
Bëhet fjalë për gjyqtarët Fatos Lulo, Shkëlzen Selimi dhe Admir Thanza. Të tre këta gjyqtarë do të hetohen nga SPAK për pasurinë e pajustifikuar, por edhe për ndikim të paligjshëm në ushtrimin e funksioneve publike, prej nga kanë përfituar jo pak.
I pari është Fatos Lulo. Një emër i përfolur në sistemin e drejtësisë, i eliminuar nga vettingu në shkallën e parë dhe të dytë për shkak të vendimeve tepër të diskutueshme mbi njerëz të lidhur me krimin. Një ndër to është edhe ajo e ekstradimit të Almir Rrapos drejt SHBA-së. Lulo vendosi të rrëzojë dy gjykatat më të ulëta, duke mos e ekstraduar Rrapon, i cili do të gjykohej në Shtetet e Bashkuara për vrasje. Një tjetër çështje e rëndësishme në duart e Fatos Lulos, ishte ajo e uljes së dënimit për Edmond Begon, alias Manoli Bega. Nga 21 vite burg që ishte dënuar në Itali, Lulo ia uli dënimin Begos me 4 vjet e 4 muaj në Shqipëri, dënim, të cilin nuk e kreu asnjëherë.
I dyti në hetimet e tanishme të SPAK është Shkëlzen Selimi. Për këtë gjyqtar, para se të përballej me vettingun pati shumë ankesa nga palë në process, për shkak të njëanshmërisë në gjykim. Mesa duket, ankesat janë marrë parasysh nga trupat e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Në dosjen, një kopje e së cilës ndodhet tashmë në arkivat e KPK dhe KPA shkruhet se gjyqtari Shkëlzen Selimi ka marrë një vendim haptazi në kundërshtim me ligjin për lirimin nga burgu për 3 ditë të një trafikanti nga Vlorë, emri i të cilit nuk bëhet publik.
Por, më shumë se trafikanti vlonjat Selimi do të hetohet për një vendim që ka përjashtuar nga ekstradimi në Itali të një trafikanti nga Fieri me identitetin Arben Isufaj.
Ky i fundit i njohur edhe si “Ben Qimja” është tashmë në listat e më të kërkuarve dhe pjesë e OFL, pas vendimit ndaj tij për të justifikuar pasurinë, që dyshohet se është vënë përmes aktivitetit kriminal dhe trafikut të drogës.
Ish-gjyqtari i tretë i përjashtuar përfundimisht nga sistemi i Drejtësisë është Admir Thanza. Ky gjyqtar rezulton i pari në listën e të shkarkuarve nga vettingu, çka tregoi se procesi i nisur me bujë dhe me investimin e fuqishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk do të ishte i lehtë.
Thanza është dënuar me vendim të formës së prerë me 40 ditë burg dhe 100 mijë lireta gjobë, pasi ka kryer një vjedhje të rëndomtë që daton në vitin 1999, në një supermarket në Itali, ndërsa në atë kohë ushtronte detyrën e gjykatësit në qytetin e Shkodrës. Gjithashtu, Admir Thanza është hetuar se kishte marrë para nga motra e një personi, i verifikuar më pas si ish-drejtori i Hipotekës së Shkodrës, i cili kishte probleme me ligjin. Nga të dhënat që u bënë publike në kohën e verifikimit të figurës së gjyqtarit Thanza doli në pah edhe një fakt që përfshinte bashkëshorten e tij në veprimtari korruptive.
Burimet e SPAK bëjnë me dije, se hetimet do të jenë komplekse. Ato nuk do të nisen nga vetëm çështje specifikime të tre emrave të përmendur. Sipas burimeve bëhet e ditur se do të kërkohet informacion i plotë jo vetëm në organet e vettingut, por edhe në Drejtorinë e Informacionit të Klasifikuar, Tatimet dhe Policinë e Shtetit. Të gjitha këto institucione do të japin të dhëna të plotë për aktivitetin e secilit gjyqtar, që tashmë do të hetohet për tre akuza; pasuri e pajustifikuar, dhënia e vendimeve të njëanshme gjatë ushtrimit të detyrës dhe dyshime për lidhje me krimin.
Për të tre këto akuza të karakterit penal, ligji parashikon heqje lirie nga dy deri në 7 vjet, por gjithçka mbetet të bazohet në provat që pritet të mblidhen nga BKH dhe të analizohen më pas nga SPAK.
Top Channel