Pavarësisht shpresave të shumta për të fituar pafajësinë, piloti italian i skuadrës së Aprilias, Andrea Iannone mori një goditje të rëndë nga gjykata, pasi u dënua me 18 maj pezullim, për përdorim të substancave të ndaluara.
Piloti italian kishte rezultuar pozitiv ndaj substancave të ndaluara në garën e 3 nëntorit të kaluar në Malajzi, por pavarësisht përpjekjeve për të fituar pafajësinë, nuk ai doli dhe tani do të duhet të bëjë një pushim goxha të gjatë.
“Aktvendimi njohu plotësisht dhe pa ekuivok kontaminimin në dëm të Andrea Iannones, i cili del tërësisht i pastër nga kjo histori. Por në mënyrë të pakuptueshme gjykata e dënoi pilotin me 18 muaj pezullim, pasi sipas saj, sportisti duhej të ishte në dijeni në pasojave kontaminuese. Aktualisht ky është një rast unik, pasi të gjithë sportistët që kanë pasur precedent të njëjtë me Iannonen, janë shpallur të pafajshëm”, thuhej në një deklaratë të studios ligjore të pilotit.
Ndërkohë skuadra e Aprilias ka nisur menjëherë nga puna për të gjetur zëvendësuesin e Iannones, ndërsa në krye të listës janë Bradley Smith dhe Lorenzo Savadori, të cilët kanë kryer edhe testet zyrtare para-sezonale.
Top Channel