Nuk kanë të përfunduar polemikat rreth Lojërave Olimpike të Tokios.
Lajmit për shtyrjen e detyruar të eventit për në datat 23 korrik-8 gusht të 2021, i shtohen informacionet në lidhje me një korrupsion të mundshëm të anëtarëve të IOC për të votuar në favor të kryeqytetit japonez si vend organizator për këto Olimpike.
Sipas agjencisë së lajmeve Reuters që bazohet te disa arkiva financiare, sipërmarrësi japonez Haruyuki Takahashi, ish shef Ekzekutiv i agjencisë se publicitetit Dentsu, ka marrë 8.2 milionë Dollarësh nga ana e Komitetit Organizativ të kandidaturës së Tokios për lobim në favor të kryeqytetit japonez për mbajtjes së këtyre Lojërave Olimpike. Vetë Takahashi zbuloi për Reuters që puna e tij konsistonte në ushtrimin e presionit te anëtarë të IOC si ish presidenti i IAAF, Lamine Diack që aktualisht po hetohet edhe nga drejtësia franceze, duke bërë dhurata të tilla si aparate fotografike dhe një orë të markës Seiko.
Takahashi pranoi se ka marrë këtë shifër parash, por nuk tregoi sesi e përdori edhe pse pranoi se i kërkoi Diack që të mbështeste kandidaturën e Tokios duke mohuar kryerjen e veprimeve jokorrekte. Ky ryshfet i supozuar në favor të Lamine Diack duket se pati efekt për Tokyo 2020, duke qenë se ai zhvilloi një mbledhje me drejtuesit e Komiteteve Olimpike të vendeve afrikane një ditë para zgjedhjes së kandidaturës fituese duke theksuar se do të votonte për Tokyon, ndërkohë që sipas avokatit të tij, ai nuk detyroi asnjë që të bënte këtë veprim.
Aktualisht drejtësia franceze po heton nëse kandidatura e Tokyo 2020 pagoi 2.1 milionë Euro a Diack nëpërmjet një konsulenti nga Singapori për të marrë mbështetjen e tij. Reuters shton se shifra e paguar për orën Seiko është 42300 Euro, por mësohet se orë të tjera u dhuruan në një nga festat e organizuara në fushatën për Tokion.
Top Channel