Teksa bota po përballet me Covid-19, grupi i hakerëve “Anonymous” ka lëshuar akuza kundër themeluesit të Microsoft-it, Bill Gates.
“Në mes të një pandemie historike, pjesa më e madhe e botës i ka kthyer sytë nga ju për të gjetur zgjidhje dhe duket se nuk është e gabuar, sepse ju e keni pozicionuar veten si Nostradamusi i sëmundjes. Ju keni bërë një punë të pabesueshme në ndërtimin e imazhit tuaj nga një drejtor i Përgjithshëm i pamëshirshëm dhe i prerë, në një filantrop dashamirës dhe shpëtimtarin e botës”, thuhet në hyrje të videos.
Grupi i hakerëve e ka kritikuar Bill Gates-in për mbështetjen e, siç thonë ata, të një sistemi mbikëqyrës që do të shfrytëzonte të dhënat e qytetarëve, për të kuptuar kush është i prekur me pandeminë. Ata e kanë cilësuar një metodë të tillë si barbare, duke thënë se sistemi në fjalë, i aplikuar në Kinë, ka shkelur të drejtat themelore njerëzore.
Videoja është publikuar në llogarinë e tyre zyrtare në rrjetin social “Facebook”, të dielën në ora 20:00. Ndër të tjera, “Anonymous” e ka akuzuar miliarderin edhe për tentim të monopolizimit të teknologjisë. Po ashtu, grupi ka ngritur zërin edhe ndaj, siç pretendojnë ata, përfshirjen ekonomike të shefit të ndërmarrjes Microsoft në biznesin farmaceutik, si një investitor i jashtëm.
“Ti mund ta kesh koorporatën e mediave, por ne ende e posedojmë internetin”, thuhet në përfundim të videos.
Top Channel