Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) Mirlinda Karçanaj, jep shifrat e aplikimeve për leje-daljet e marra përmes portalit e-albania dhe sms-ve.
Sa i takon portalit, Karçanaj thotë se në fillim kanë hasur vështirësi për shkak të numrit të madh të klikimeve por tanimë është punuar dhe sistemi nuk do ketë më asnjë problem në aksesimin nga qytetarët.
“ Të nderuar qytetarë,Për shkak të një fluksi të madh e të menjëhershëm klikimesh, e-Albania hera-herës aksesohej me vështirësi. E pavarësisht kësaj, u dhanë plot 116 mijë e 562 leje të menjëhershme për dalje vetëm nga portali dhe 75 mijë e 573 përmes sms-ve në numrin 55155.
Mbi 50 punonjës, pa pushuar asnjë sekondë të vetme, ndihmuan mijëra qytetarë të tjerë për përditësimin e të dhënave në llogaritë e tyre në e-Albania dhe iu përgjigjën pyetjeve mbi procedurën e thjeshtë të aplikimit.
Dhjetëra inxhinierë ndërkaq punuan pa rreshtur këto dy ditë për perfeksionimin e infrastrukturës dhe tanimë me kënaqësi ju informoj se sistemi nuk do ketë më vështirësi në aksesim.
Falenderoj secilin prej jush për mirëkuptimin dhe ju ftoj të hapni e-Albania për leje-daljet e nevojshme apo çdo shërbim tjetër”, shkruan Karçanaj.
Kujtojmë se nga aplikimi për leje dalje përjashtohen pensionistët dhe vetëm një person për familje mund të marrë leje.
Top Channel